AUV paralajmëron fermerët: Konfirmohen raste të Lisë së Dhenve dhe Dhive në katër komuna

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje fermerëve që mbajnë dele dhe dhi të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë, pas konfirmimit të disa rasteve të sëmundjes Lija e Dhenve dhe Dhive (Sheep and Goat Pox) në komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtërpcë dhe Viti.

Sipas AUV-së, ekziston rreziku që sëmundja të përhapet edhe në zona të tjera, ndaj fermerëve u kërkohet të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e tufave të tyre.

Agjencia u bën thirrje fermerëve të mos lëvizin delet dhe dhitë nga fermat pa autorizimin e veterinerit zyrtar, të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të paautorizuara në fermë, si dhe të shmangin kontaktin e kafshëve me tufat e fermave të tjera.

Po ashtu, AUV rekomandon pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt të objekteve, pajisjeve dhe mjeteve të transportit, ndërsa çdo kafshë e sapoblerë duhet të mbahet e izoluar për një periudhë vëzhgimi përpara se t’i bashkohet tufës.

Fermerët këshillohen gjithashtu të monitorojnë çdo ditë gjendjen shëndetësore të kafshëve. Në rast se vërejnë simptoma si temperaturë e lartë, puçrra ose plagë në lëkurë, gojë, hundë apo gjinj, rrjedhje nga sytë ose hunda, mungesë oreksi, dobësi apo ngordhje, duhet të njoftojnë menjëherë veterinerin privat ose inspektorët e AUV-së dhe të mos përpiqen t’i trajtojnë apo t’i lëvizin kafshët e dyshuara.

AUV thekson se bashkëpunimi i fermerëve është thelbësor për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në mbarë vendin.

“Bashkëpunimi i fermerëve është vendimtar për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të mbrojtur tufat në të gjithë vendin. Lija e dhenve dhe lija e dhive nuk është sëmundje që transmetohet tek njerëzit, nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Është sëmundje e karakterit ekonomik e cila shkakton humbje për ekonominë e fermerëve dhe të shtetit.”, thuhet në njoftim.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Rritet sërish çmimi i naftës në Kosovë

Read Next

Real Madridi thyen rekord historik, bëhet klubi i parë në botë me mbi 1.2 miliardë euro të ardhura