Asnjë skuadër me bilanc të 100 për qind – Llapi dhe Ballkani në krye të Superligës së Kosovës në futboll

Kanë kaluar pesë javë në Superligën e Kosovës në futboll dhe nuk ka asnjë skuadër që ka bilanc 100 për qind të fitoreve.

Ballkani e kishte nisur më së miri sezonin me tre fitore radhazi, por suharekasit u ndalën së fundmi në barazim 1-1 nga Dukagjini i Klinës.

Kampioni në fuqi i Kosovës e ka një ndeshje më pak të zhvilluara ndaj Dritës, derisa deri më tani ka grumbulluar 10 pikë duke marrë tre fitore e një barazim.

Start shumë të mirë ka edhe Llapi që pas humbjes në xhiron e parë ka grumbulluar 10 pikë pasi ka tre fitore e një barazim duke ndarë pozitën e parë me suharekasit.

Befasia më e këndshme në këtë fillim sezon është Malisheva, ku pas pesë ndeshjeve ka marrë nëntë pikë me tre fitore e dy disfata.

Nëntë pikë ka grumbulluar edhe Prishtina, por që nuk kanë pësuar ende humbje, pasi kanë dy fitore e tre barazime në pesë ndeshjet e zhvilluara.

Zhgënjimet e deritashme, Drita dhe Dukagjini

Drita është skuadra që ka zhgënjyer më së shumti në këtë fillim sezon në Albi Mall Superligë.

Gjilanasit janë ndër pretendentët kryesorë për titullin e kampion, por kanë grumbulluar vetëm gjashtë pikë nga katër ndeshje të zhvilluara.

Përkundër se nuk kanë pësuar ende humbje, Drita nuk fiton prej tre ndeshjeve radhazi pas triumfit në xhiron e parë 2-0 ndaj Llapit.

Skuadra e Akis Vavalis ka barazuar në tre ndeshje radhazi ndaj ekipeve që synim kanë mbijetesën si Liria (1-1), Dukagjini (2-2) dhe Fushë Kosova (1-1).

Zhgënjim mund të quhet edhe Dukagjini i Klinës, që nuk ka arritur më shumë se tre pikë nga pesë sfida të zhvilluara.

Pas dy humbjeve radhazi klinasit janë këndellur duke barazuar në tre duele, por vazhdojnë të mos kenë ende fitore.

Liria ka grumbulluar gjashtë pikë në pesë ndeshje ku ka pësuar vetëm një humbje, ka fituar një duel dhe ka barazuar në tre sfida të tjera.

Gjilani ka zhvilluar katër sfida dhe ka marrë katër pikë, pasi ka një fitore, një barazim dhe dy disfata.

Feronikeli ‘74 është në vendin e parafundit me vetëm tre pikë, ku skuadra e Xhengis Rexhepi ka pësuar katër humbje dhe ka vetëm një fitore.

E në pozitën e fundit është Fushë Kosova me vetëm një pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara.

Në fakt edhe skuadra e Burim Shalës ka një ndeshje më pak të zhvilluar, ku pas tre disfatave radhazi ka marrë një pikë të artë duke ndalur Dritën në barazim.Reklama

Katër skuadra me nga një ndeshje më pak të zhvilluar

Edhe pse jemi në këtë fillim të kampionatit, katër skuadra kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndeshja e parë që ishte shtyrë ishte ajo e xhiros së parë mes Fushë Kosovës dhe Gjilanit për faktin se skuadra mysafire nuk e dinte në atë kohë fatin e saj nëse do të vazhdoj të mbetet pjesë e Superligës apo jo.

Dy skuadrat që kanë nga një ndeshje më pak janë Drita dhe Ballkani.

Derbi i xhiros së tretë nuk u zhvillua pasi Ballkani kishte për të luajtur në ‘Play-Off’ të Ligës së Konferencës.

FFK ende nuk ka njoftuar për datën se kur do të zhvillohen këto dy ndeshjet e mbetura në elitën e futbollit kosovar. 

/Telegrafi/ 

Read Previous

Nga 1 tetori fillon leximi i mamografive në qendrën e mamografisë në Gjakovë

Read Next

Theret me thikë shqiptari në Itali