Aro ​Muric: Do të jemi në garë me Zvicrën edhe për vendin e parë

Në prag të dy ndeshjeve vendimtare të Kombëtares së Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, portieri i Dardanëve, Arijanet Muriç, shfaqi besim dhe motivim të madh për ekipin, duke theksuar se “Kosova është në garë edhe për vendin e parë”.

“Sigurisht, duam të paktën vendin e dytë për të luajtur ‘play-off’-in. Por mendoj se do të jemi në garë me Zvicrën edhe për vendin e parë. Shpresoj kështu. Fillimisht duhet të përqendrohemi në ndeshjen kundër Sllovenisë, jemi në formë shumë të mirë, të gjithë lojtarët janë të shëndetshëm. S’ka lëndime dhe ekipi është i plotë. Vetëm unë s’mund të jem pjesë për shkak të dy kartonëve të verdhë”, tha Muriç, duke shtuar se ekipi është plotësisht gati për dy sfidat e fundit të ciklit kualifikues.

Ai nuk e fsheh keqardhjen që nuk do të jetë pjesë e ekipit në ndeshjen kundër Sllovenisë. “Po, sigurisht që më vjen keq. Do të ishte më e lehtë sikur të luaja. Nëse skuadra humb pa mua, më dhemb më shumë”, theksoi ai, por njëkohësisht shprehu besim të plotë te bashkëlojtarët në portë: “Stërviten njësoj si unë dhe japin maksimumin çdo ditë për t’u përmirësuar, prandaj janë gati”.

Sa i përket atmosferës në kampin e Dardanëve, portieri i Kombëtares u shpreh optimist: “Ne nuk kemi frikë. Nuk ka tension apo energji negative në ekip për ndeshjen e radhës. Dhe nuk duhet të kemi frikë ta luajmë ndeshjen. Nuk kemi presion, vetëm energji pozitive. Dhe kur i shikoj lojtarët, më duket që të gjithë e ndjejnë njësoj. Të gjithë janë të motivuar, kjo më jep ndjesi shumë pozitive”, shtoi Muriç.

Në pyetjen nëse do të ishte i kënaqur me një vend në “play-off”, Muriç u përgjigj: “Sinqerisht, nuk e kam menduar sepse aktualisht po luftojmë për vendin e parë. Nuk jam i sigurt se do të firmosja për vendin e dytë, do të rrezikoja për më shumë”, tha Aro.

Ai theksoi se beson fuqishëm në mundësinë e Kosovës për ta mposhtur Zvicrën në ndeshjen e fundit në Prishtinë, në rast se ajo rezulton vendimtare për kualifikim: “Sigurisht. Çdo kundërshtar e ka të vështirë të luajë në Kosovë. Mendoj se kemi më shumë gjasa të fitojmë sesa ata. Ndeshja e parë atje ishte e vështirë, por në Prishtinë është ndryshe. Ndihem shumë mirë të luaj këtu –do e doja shumë një ndeshje të tillë”.

Tutje Muriç foli për karrierën e tij me Kombëtaren dhe klubet, duke kujtuar debutimin e tij ndaj Azerbajxhanit dhe disa nga momentet më të veçanta me fanellën e Kosovës. “Ndeshja ndaj Republikës Çeke në Prishtinë ishte shumë e veçantë. Ata ishin në formë të lartë, por ne luajtëm shkëlqyeshëm. Edhe ajo ndaj Suedisë 2–0 ishte shumë e bukur”, u shpreh ai.

Portieri 27-vjeçar tregoi edhe për rrugëtimin e tij në klubet evropiane, teksa theksoi se një kohë pauzoi nga futbolli.

“Pasi u largova nga Grasshoppers, e ndalova futbollin për rreth 8 muaj”, tha ai, teksa më pas foli për periudhën te Manchester City dhe punën me Pep Guardiolën. “Ai ishte i mrekullueshëm si person për mua personalisht, sepse isha një nga lojtarët më të rinj. Ai ishte i mrekullueshëm. Sigurisht, si lojtar i ri, ndonjëherë bën disa gjëra që nuk janë të mira për futbollistët. Mendoj se Pep gjithmonë ka qenë shumë i mirë me mua, kështu që ai gjithmonë thoshte se do të më mësonte se isha ende i ri, nuk i ndëshkonte futbollistët dhe gjithmonë ishte pozitiv. Ai ka qenë vërtet i jashtëzakonshëm. Ishte një ëndërr të stërvitesha me të”, tha Muriç. /KosovaPress/

Read Previous

SHBA-ja po i jep fund prodhimit të monedhave 1 cent

Read Next

​Fillon punën Komisioni për vlerësimin e fletëvotimeve të Mitrovicës së Jugut