Arbitri kosovar i jep dy kartonë të verdhë, por nuk e përjashton lojtarin

Arbitri kosovar i futbollit, Mervan Bejtullahu, e ka drejtuar të enjten ndeshjen mes Gyorit hungarez dhe Pyunikut të Armenisë, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

Pyuniku e kishte fituar 2:1 ndeshjen e parë, ndërsa Gyori fitoi 3:1 në ndeshjen e dytë dhe u kualifikua. Golin për 3:1 e shënoi kroati Daniel Shtefulj në minutën e 90-të. Pas golit ai festoi duke e hequr fanellën dhe Bejtullahu e ndëshkoi me karton të verdhë.

Pesë minuta më pas, 25-vjeçari Shtefulj bëri ndërhyrje të rrezikshme, duke goditur në fytyrë kundërshtarin në një ngritje të pakontrolluar të këmbës. Bejtullahu sërish ia tregoi kartonin e verdhë.

Me dy kartonë të verdhë lojtari përjashtohet nga loja. Por Shtefulj mbeti në fushë, ndërsa Bejtullahu nuk e përjashtoi.

Për disa çaste, Bejtullahu ishte i hutuar. U konsultua me ndihmësit e tij, por vendosi ta vazhdojë ndeshjen pa e përjashtuar lojtarin me dy kartonë.

Sipas “index.hr”, Bejtullahu ka ngatërruar lojtarët. Sipas raportit zyrtar të UEFA-s, kartonin e verdhë e mori Dejan Boldor. Shtefulj në fanellë kishte numrin 23, ndërsa Boldor 25. Dhe ndoshta për këtë erdhi te gabimi. Ai është parë duke u afruar te të dy lojtarët, por megjithatë vazhdoi ndeshjen.

Read Previous

Ukraina kryen sulm ajror ndaj forcave ruse me bomba franceze

Read Next

Shefi i Operacioneve të Ushtrisë Zvicerane pritet të vizitojë Kosovën