Apeli më 2 shkurt do bëjë shpalljen e aktgjykimit për Gucatin dhe Haradinajn

Më 2 shkurt, Paneli i Gjykatës së Apelit në Gjykatën Speciale do të bëjë shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuar të Kosovës (DhSK).

“Aktgjykimi u shqiptua më 18 maj 2022, duke i shpallur fajtorë të dy të akuzuarit dhe duke i dënuar me katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 euro. Si Gucati ashtu edhe Haradinaj kanë parashtruar ankesat e tyre, ndërsa ZPS-ja ka njoftuar se nuk ka ndërmend të ankimojë aktgjykimin”.

Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, kishte kërkuar nga Paneli i Apelit që të lë në fuqi dënimet e shqiptuara nga trupi gjykues.

“Të akuzuarit pretendojnë që janë trajtuar në mënyrë të padrejtë në proceset gjyqësore. Ata janë dënuar pas një procesi gjyqësor tërësisht të drejtë dhe dënimi i dhënë për këtë ka qenë i drejt”, kishte thënë Whiting.

Ndryshe, Gucati dhe Haradinaj më 18 maj të vitit të kaluar u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /Albanianpost.com

Read Previous

Kurti: Kosovës nuk i duhet një Asociacion një etnik, s’tolerojmë të vihet si parakusht

Read Next

Ministri kroat i Ekonomisë: Kosova meriton të ardhme evropiane