Anija lundruese në Portin e Durrësit tërheq vëmendjen e qindra vizitorëve

Anija librari “Logos Hope”, e akostuar në portin e Durrësit prej  një jave, ka tërhequr vëmendjen e dhjetëra vizitorëve të moshave të ndryshme.

Sipas Autoritetit Portual Durrës, vetëm nga shkolla të arsimit parauniversitar numërohen rreth 1200 nxënës që kanë shfletuar larmishmërinë e librave që ndodhen brenda saj, por edhe elementëve të ndryshëm që kanë tërhequr vëmendjen e tyre.

Autoriteti Portual Durrës, nëpërmjet efektivëve të sigurisë portuale, në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore Durrës, janë kujdesur për koordinimin e vizitave në anije dhe mbarëvajtjen e tyre.

Kur kanë mbetur dhe pak ditë qëndrimi të anijes në Durrës, interesi vijon të jetë i shtuar nga nxënës e qytetarë që do e vizitojnë atë, sipas programit dhe orareve të planifikuara.

Ekuipazhi prej 400 vullnetarësh nga 64 kombësi të ndryshme të botës ka rezervuar mikpritje të  veçantë për vizitorët.

Anija e veçantë është duke zhvilluar një tur lëvizës në Mesdhe, ndërsa pas Vlorës u ndal dhe në Durrës duke i dhënë mundësinë më shumë libërdashësve të ngjiten në bordin e saj.

Është hera e tretë që libraria e madhe lundruese mbërrin në vendin tonë. Qëllimi i këtij ekuipazhi është ndarja e shpresës, njohurive dhe dijeve me njerëzit në mbarë botën./atsh/ KultPlus.com

Read Previous

Giornale di Udine 1927: Kur kryetari i federatës ‘Vatra’ i shkruante kryeministrit shqiptar në lidhje me konfuzionin që po krijonte federate imagjinare ‘Bijtë e Shqipërisë’ në Lidhjen e Kombeve

Read Next

Mësimi të shtunave, MASHTI: Mësimdhënësit i janë përgjigjur pozitivisht vendimit, dalja e nxënësve në shkolla lë për të dëshiruar