Ambasadori i BE-së në Tiranë: Reforma në drejtësi duhet të konsolidohet

Në një aktivitetet të organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për “Ditën e Drejtësisë”, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato tha se reforma në drejtësi duhet të fuqizohet dhe të konsolidohet.

Gjatë fjalës së tij Gonzato u shpreh se përpjekjet për të konsoliduar drejtësinë do të duhet që të arrihen me çfarëdolloj mënyre dhe me të gjitha komponentët e shtetit, përfshirë edhe qeverinë dhe Kuvendin. Në mbyllje të fjalës së tij ai ka falenderuar edhe drejtuesit e KLP dhe KLGJ për punën e tyre.

Silvio Gonzato: Megjithatë sot më shumë se kurrë reforma në drejtësi duhet të fuqizohet, duhet të konsolidohet dhe duhet që të ecet përpara më shumë më shpejt për të arritur rezultate dhe këto rezultate duhet tu shërbejnë qytetarëve, sepse drejtësia është shërbëtori i qytetarëve. Këtë javë kemi edhe “Javën e Europës” dhe ne në fakt e kemi festuar në të gjithë Shqipërinë ku kemi promovuar disa vlera kryesore të BE si larmia, gjithëpërfshirja dhe të drejtat e njeriut. Më lejoni të them që sistemi i drejtësisë luan një rol kyç në konsolidimin e këtyre vlerave dhe për t’i ankoruar ato thellësisht në shoqëri dhe kjo gjë arrihet me anë të vendimeve të mirëarsyetuara dhe të drejta, me anën e cilësisë së magjistratëve dhe trajnimit të tyre dhe me anën e pavarësisë dhe integritetit të tyre.

Përpjekjet për të konsoliduar drejtësinë dhe të drejtat e njeriut në shoqëri si vlera kyçe të BE do të duhet që të arrihen me çfarëdolloj mënyre dhe me të gjitha komponentët e shtetit përfshirë edhe qeverinë dhe Kuvendin. Koherenca në këto përpjekje dhe punë është shumë e rëndësishme, kjo ka të bëjë me hartimin e ligjit si përshembull me të drejtën penale apo me rishikimin e ligjeve të prokurimeve, nismën për reforma apo nisma përshembull si ligje për amnisti.

Të gjitha këto përpjekje duhet t’i qëndrojnë besnike Kushtetutës. Të gjitha këto përpjekje duhet të përfshijnë edhe infrastrukturën e duhur, por edhe burimet e duhura financiare dhe njerëzore si dhe udhëheqje të fortë në të gjitha aspektet si çëshje e reduktimi i dosjeve të mbartura apo përmbushja e vendeve vakante. Reforma në drejtësi ka hyrë tashmë në vitin e gjashtë. Shumë është arritur dhe shumë duhet të arrihet dhe në këtë drejtim dëshiroj të falenderoj dy kryetarët e këshillave për punën deri më tani. /tvklan.al

Read Previous

Borrell: Spanja dhe Irlanda do ta njohin shtetin palestinez këtë muaj

Read Next

Netanyahu: Izraeli do të luftojë i vetëm pa ndihmën e SHBA-së