Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, së bashku me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë, të mërkurën janë takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar zhvillimet paszgjedhore.
Orav ka bërë të ditur se gjatë takimit është vlerësuar procesi zgjedhor, duke theksuar se ka reflektuar përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike. Po ashtu, ambasadorët kanë nënvizuar rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë së re.
“Vlerësuam procesin zgjedhor që pasqyron një angazhim të fuqishëm për parimet demokratike dhe theksuam rëndësinë e formimit të shpejtë të qeverisë”, ka shkruar Orav në “X”.
Në takim është kërkuar edhe ratifikimi i shpejtë i marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes së BE-së, me qëllim që përfitimet të arrijnë sa më shpejt te qytetarët e Kosovës.
“Bëmë thirrje për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve lidhur me Planin e Rritjes për të sjellë përfitime për popullin e Kosovës. Po ashtu, theksuam se Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi mbetet thelbësor për përparimin në rrugët e tyre të integrimit evropian”, ka shkruar ai. /RTKlive
Together w/ EU Ambassadors & Heads of Mission in Kosovo, met Caretaker PM @albinkurti to discuss perspectives for 2026. Commended the electoral process reflecting strong commitment to democratic principles & underscored the importance of swift government formation. pic.twitter.com/GvOBnKg9kc— Aivo Orav (@AivoOrav) January 14, 2026