Aliu: KFOR-i nuk më ktheu nga Leposaviqi, por Policia rekomandoi mos të vazhdoj

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka mohuar në mënyrë kategorike raportimet e mediave se Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, nuk e ka lejuar takimin me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, të premten.

Aliu duke i demantuar këto raportime, ka thënë se KFOR-i i ka ofruar siguri me një njësit të tyre, por ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që ka rekomanduar të mos vazhdoj më tutje me qëllim të shmangjes së tensionimit të situatës nga bandat kriminale.

“Lajmet se KFOR-i, më ka ndaluar që ta takoj Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, janë të pavërteta. Spekulimet e tilla, iu shkojnë për shtati vetëm bandave që janë të instaluara aty, njëherit këto lajme të pavërteta po ashtu po e zhvlerësojnë punën e palodhshme dhe profesionale që Policia e Kosovës po e bën atje. E falënderoj Kryetarin Lulzim Hetemi, për qëndresën e tij shembullore për Republikë, rend e ligj”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe edhe kryetari Hetemi, përmes një postimi në Facebook, ka mohuar raportimet e mediave se KFOR-i e ka urdhëruar që të largohet nga objekti i komunës.

Hetemi ka thënë se “lajmi i publikuar në portalin ‘Paparaci’ se mua më ka urdhëruar KFOR-i të largohem nga Komuna apo të më nxjerrin me forcë është totalisht i pavërtetë”.

/Albanianpost.com

Read Previous

Trump përballet me 37 akuza penale lidhur me dokumentat e klasifikuara

Read Next

SHBA e shqetësuar se Irani po ndërton fabrikë dronësh brenda Rusisë