Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryeparlamentare sërish emrin e Albulena Haxhiut. Deputetët e partive të tjera nuk dhanë përkrahje për kandidaturën e saj rrjedhimisht Haxhiu mori 57 vota pro 56 vota kundër dhe 3 deputetë abstenuan.
Pas kandidaturës së Haxhiut, kandidatura tjetër e LVV-së ishte Donika Gërvalla. Njëjtë si Haxhiu, as emri i Gërvallës nuk gjeti përkrahjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime nuk mjaftuan që Gërvalla të zgjidhet kryeparlamentare.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përfundoi seancën e sotme duke caktuar 22 gushtin si datë të mbledhjes tjetër të deputetëve.
Seanca e radhës mbahet të premten në ora 11:00.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tre herë.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës po konsiderohet si urgjencë shtetërore edhe nga presidenca e cila tha se Kosova duhet të ketë sa më parë institucionet në periudhën sfiduese globale dhe rajonale.
“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, kanë thënë nga Presidenca.
Kujtojmë që deri para aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës dështoi konstituimin në 54 tentativa.
Gjykata Kushtetuese e publikoi vendimin me 8 gusht, ndërsa si të plotë e publikoi të hënën e 18 gushtit. /KosovaPress/