Në Kosovë është thelluar kriza politike pas dështimit të votimit të Qeverisë “Kurti 3” në Kuvend, ku kandidati për kryeministër, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri.
Kurti ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar disa tentativa për krijimin e një koalicioni qeverisës, por pa sukses. Ai tha se partia e tij i ka bërë dy herë ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për bashkëpunim, ndërsa ka qenë në kontakt edhe me Nismën Socialdemokrate. Megjithatë, asnjëra nga këto parti nuk pranoi të bëhet pjesë e qeverisë së re.
“Dy herë i kemi bërë ftesë LDK-së, ndërsa kemi qenë në kontakt edhe me Nismën, por asnjëra nuk pranoi bashkëpunim,” deklaroi Kurti.
Refuzimi i këtyre partive ka lënë Vetëvendosjen pa aleatë dhe pa numrat e nevojshëm për të kaluar kabinetin qeveritar.
Në një konferencë për media, Kurti u shpreh se në rrethanat aktuale, vendi nuk ka alternativë tjetër përveç mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
“Dua të theksoj që unë dhe VV jemi të interesuar dhe angazhohemi të punojmë që ta zhvillojmë shtetin. Prandaj para çdo marrëveshje, ne zgjedhim zgjedhjet kjo është edhe arsyeja pse vendi, siç e pamë dje nuk ka rrugë a mënyrë tjetër përveç drejt zgjedhjeve të reja. Nuk ka qenë preferenca jonë”, tha Kurti.
Sipas tij, përpjekjet për të formuar qeverinë do të vazhdojnë, por mundësia që Kuvendi ta votojë një ekzekutiv të ri është gjithnjë e më e vogël.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar se ende nuk ka marrë ftesë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas dështimit të votimit të qeverisë. Ai ka lënë të kuptohet se, përveç zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen së shpejti, vendi mund të përballet me dy palë zgjedhje brenda një viti – edhe ato parlamentare.
“Përveç balotazhit, mund të kemi edhe dy herë zgjedhje,” deklaroi Kurti, duke nënvizuar se situata politike kërkon një zgjidhje përfundimtare përmes votës së qytetarëve.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas dështimit të votimit të qeverisë, Presidentja duhet të nisë konsultimet me partitë politike për të vendosur nëse do t’i japë mandatin një kandidati tjetër apo do të shpallë zgjedhje të reja. Nëse as përpjekja e dytë nuk rezulton me sukses, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Duke qenë se Vetëvendosja nuk ka arritur të sigurojë shumicën në Kuvend dhe opozita ka refuzuar çdo ofertë bashkëpunimi, zgjedhjet e reja duken tashmë si skenari më i mundshëm.