Albin Kurti propozohet si mandatar për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje

Në mbledhjen e mbajtur sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), është propozuar me votë unanime që Albin Kurti të emërohet mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kryeministri në detyrë dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, kritikoi Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se veprimet e saj kanë penguar nismat reformuese të qeverisë, shpesh duke i shpallur ato antikushtetuese. Ai përmendi se që nga mesi i prillit, gjyqtarët e kësaj gjykate kanë vonuar vendimmarrjet për çështjen e çmimit tavan dhe ankesat e AAK-së, LDK-së dhe PDK-së. Kurti theksoi se Gjykata në tetë raste kishte rrëzuar iniciativa të LVV-së, ndër to edhe ligjin për vendosjen e çmimit tavan, si “dita më e pikëlluese” për të si kryeministër.

Ndërkaq, Glauk Konjufca, nënkryetar i LVV-së, deklaroi se masa dhe qasja e Gjykatës Kushtetuese kanë kontribuar në krizën politike aktuale. Ai paralajmëroi se gjykata duhet të lejojë ngritjen e Kuvendit për të vazhduar me themelimin e institucioneve të shtetit, përndryshe rruga e vetme mbetet ajo e zgjedhjeve të reja. Sipas tij, një skenar i tretë – që ai e konsideron si tradhti shtetërore – do të jetë dhënia e fuqisë së vetos ndaj Listës Serbe dhe Beogradit ndaj Kosovës. /tvsyrivision/

Read Previous

“Diplo 2025”, Tirana bëhet qendër e diplomacisë për tre ditë

Read Next

“Paga minimale në Kosovë nuk mbulon as nevojat bazë të një individi”