Afganistani dhe Pakistani bien dakord për armëpushim pas përshkallëzimit të dhunës

Afganistani dhe Pakistani kanë rënë dakord për një armëpushim pas ditësh përleshjesh të ashpra që kanë lënë dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur në zonat kufitare mes dy vendeve. 

Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia, hyri në fuqi menjëherë të dielën, njofton agjencia Associated Press.

Përplasjet mes dy fqinjëve janë përshkallëzuar që nga fillimi i tetorit, me secilën palë që akuzon tjetrën për provokime dhe sulme në territorin e saj. Afganistani ka mohuar akuzat e Pakistanit se strehohen militantë në territorin e tij që kryejnë sulme ndaj forcave pakistaneze.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, e ka quajtur pozitive marrëveshjen e arritur në Doha, ku përfaqësues të të dyja vendeve nënshkruan një dokument dypalësh për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive.

Pakistani po përballet me një rritje të militantizmit që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021, çka ka përkeqësuar ndjeshëm sigurinë në rajonet kufitare.

GazetaSinjali/

Read Previous

Dialogu që nisi në Bruksel para 13 vjetësh

Read Next

Zhegrova në dyshim edhe për ndeshjen me Real Madridin