Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u është kundërpërgjigjur reagimeve nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me vendimin e PZAP-së për anulimin e vendimit të KQZ-së për hapje të qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.
Ai ka thënë se VV-ja po tenton të manipuloj votat.
Duke e quajtur këtë parti si “sekt”, Abdixhiku ka shkruar se “kanë reaguar i madh e i vogël”, me “mashtrim, pa fakte e me propagandë”.
“E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë thejshtë”- ka shkruar Abdixhiku, më 01.12.2025.
I pari i LDK-së ka thënë se në VV ka panik, sulme, ulërima e histeri politike.
“Një herë, provuan ta kthejnë sistemin e vjetër të votimit me email. Atë ku një militant, para televizorit, mbushte qindra e qindra fletvotime vet. Merreni me mend: në Kosovë kalojmë në dhjetëra hapa sigurie para se një fletëvotim të pranohet e të numërohet; këta, të pakënaqur nga rezultati i fundit lokal, donin t’i kthenin kohët e vjetra të votimeve e manipulimeve masive”- ka shkruar ai, duke shtuar se raste të tilla janë të deponuara në hetuesi dhe Prokurori.
Ai ka shtuar se mërgata asnjëherë nuk e ka pasur më të lehtë votimin. Kjo duke votuar në konsulatë e ambasadë të Kosovës apo edhe me postë, me fletëvotim të pranuar nga shteti.
“LDK po punon secilën ditë me ta. Regjistrohuni e ejani e votoni masivisht në Kosovë. Ne jemi të qetë! Sekti i Vetëvendosjes nuk e do këtë. Ata duan të manipulojnë. T’i printojnë vet fletëvotimet. T’i mbushin vet. T’i manipulojnë votat vet. Të prodhojnë rezultatin që s’e marrin dot me besimin e qytetarëve”- ka shkruar Abdixhiku tutje.
Sipas tij, manipulimi në të cilin aludon ai po tentohet sepse sipas tij “mërgata nuk mashtrohet më”, ajo nuk mund të blihet dhe se sipas tij “po ndryshon”.
Abdixhiku ka shkruar se paniku, të cilin sipas tij po e shfaqin nga LVV, është shenja e parë e një humbje që sipas tij, i pret. /Kallxo.com