Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Infeksionet me HIV shpesh zbulohen dhe trajtohen me shumë vonesë në Evropë, sipas një studimi të publikuar, ku 54% e diagnozave në vitin 2024 u bënë tepër vonë për një trajtim optimal.
Raporti i përbashkët i Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Zyrës Evropiane të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u publikua për Ditën Botërore të SIDA-s, e cila shënohet sot.
”Numri në rritje i rasteve të pazbuluara rrezikon arritjen e objektivit për eliminimin e SIDA-s si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030”, paralajmëruan ECDC, me seli në Stokholm, dhe OBSH Evropa, me seli në Kopenhagë.
”Gati 106 000 diagnoza me HIV u regjistruan në rajonin e OBSH Evropës në vitin 2024”, sipas raportit.
Ky numër përfshin gjithsej 53 vende, që shtrihen përtej BE-së deri në Azinë Qendrore.
Duke marrë vetëm Parashtrimin Ekonomik Evropian (EEA), që përfshin BE-në si dhe Islandën, Lihtenshtejnin dhe Norvegjinë, u regjistruan pak më shumë se 24 000 diagnoza, 48% e të cilave ishin diagnoza të vonuara.
Të dy institucionet kërkuan testime më të gjera për HIV dhe qasje më të mirë te testimi vetjak, duke argumentuar se objektivi i vitit 2030 është i arritshëm, por vetëm nëse Evropa mbyll menjëherë boshllëkun e testimit.
Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 1,3 milionë persona në mbarë botën u infektuan me virusin e imunodeficiencës njerëzore (HIV) në vitin 2024, i cili mund të shkaktojë SIDA nëse nuk trajtohet.
Në fund të vitit 2024, 40,8 milionë njerëz në botë jetonin me HIV, më shumë se tre të katërtat e të cilëve kishin akses te medikamentet kundër virusit.
Rreth 630 000 persona vdiqën si pasojë e SIDA-s. /ATSH-DPA/