A po hapet rruga për zgjedhje të reja në Kosovë pas gjashtë muajsh bllokadë?

Marrë parasysh se asnjë nga partitë politike në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të krijojë një shumicë parlamentare gjashtë muaj pas zgjedhjeve, hulumtuesi nga Demokracia Plus (D+), Albert Krasniqi, vlerëson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

Por, para se mandatet t’i kthehen popullit partitë politike, në vlerësimin e tij, partitë politike duhet të bien dakord mbi disa çështje themelore që do të shmangin bllokadat e së ardhmes dhe do të garantojnë funksionalitetin institucional.

Në pikën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi, sugjeron që të zgjidhet një kandidat konsensual për Kryetar të Kuvendit, i cili nuk vjen nga partitë kryesore politike.

“2. Ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – të mundësohet një garë me më shumë kandidatë dhe sistem dy raundesh, duke ndjekur modelet e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, për të shmangur bllokadat e ngjashme në të ardhmen; 3. Zgjedhja e Presidentit nga populli – megjithëse shpesh shihet si një ushtrim i panevojshëm demokratik, votimi i drejtpërdrejtë rrit stabilitetin institucional dhe e lehtëson procesin e formimit të koalicioneve paszgjedhore”.

“4. Ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme – të reduktohet numri i votave preferenciale nga 10 në 3, të rikthehet numërimi i votave në vendvotime dhe të adresohen problemet e krijuara nga ndryshimet e fundit;  5. Opsionalisht, reformim i zgjedhjeve lokale – të shqyrtohet mundësia që zgjedhjet për kryetarë komunash të zhvillohen në vetëm një raund (fiton kandidati i renditur i pari) dhe të ulet numri i nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e tyre”, ka shkruar ai në platformën socaile, Facebook.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, në anën tjetër vlerëson se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka vendosur Kosovën përballë dy opsioneve: një koalicion të mundshëm i partive politike për pushtet me LVV-në, ose një marrëveshje mes vetë partive opozitare, pa Albin Kurtin, që do të shënonte rotacionin e pushtetit.

“Çdo opsion tjetër do të përshpejtonte zgjedhjet. Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese tashmë i ka kufizuar opsionet dhe ka bërë të qartë se asnjë parti nuk mund të vihet mbi institucionet dhe rendin kushtetues mbi të cilin funksionon Republika”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati dështun të zgjidhen në krye të Kuvendit të Kosovës në seancën e parë dhe të dytë konstituive pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë./Albanianpost.com

Read Previous

Seuli hap zjarr pasi trupat e Koresë së Veriut e kalojnë kufirin

Read Next

FSK me stërvitje të përbashkët me Forcat Detare të Shqipërisë