A mund të përmirësohen raportet Kosovë-Spanjë pa njohje formale?

Qendra për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një raport ku ofrohen rekomandime për avancimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Prishtinës dhe Madridit, pa pasur nevojë për njohje formale të pavarësisë së Kosovës nga Spanja.

Raporti i QKSS-së argumenton se rasti i Kosovës ndryshon nga Katalonja dhe Baskia – dy rajone me autonomi të veçantë brenda territorit të Spanjës, të cilat herë pas here kanë shprehur aspiratat e tyre për pavarësi. Për këtë arsye, raporti sugjeron që Kosova të përdorë një qasje “zhdëmtuese” dhe të adresojë drejtpërdrejt drojën spanjolle, duke e ndarë çështjen e Kosovës nga debatet e brendshme në Spanjë.

“Kjo nënkupton shkëputjen e Kosovës nga debatet e brendshme politike në Spanjë dhe prezantimin e Kosovës si një rast unik (sui generis) nëpërmjet përdorimit tër referencave ndaj Katalonjës dhe Baskisë vetëm për të theksuar dallimet historike dhe ligjore, pro jo për të krijuar paralele direkte”, vlerëson autori i raportit të QKSS-së.

Një nga strategjitë kryesore është “thyerja e tabusë” në Spanjë përmes “neutralitetit” ndaj statusit të Kosovës. Në kuadër të “hapave praktikë” përmenden kontaktet informale me zyrtarë spanjollë në kuadër të NATO-s, OSBE-së, OKB-së dhe BE-së.

Gjithashtu, duke kombinuar angazhimet në kuadër të organizatave ndërkombëtare me diplomacinë kulturore, promovimin e turizmit dhe organizimin e forumeve të biznesit, publiku i gjerë spanjoll mund ta “normalizojë” çështjen e Kosovës.

E suksesi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për zhbllokimin e pozicionit të Spanjës. Kosova mund të forcojë legjitimitetin e saj ndërkombëtar dhe të krijojë hapësirë politike për angazhimin konstruktiv të Spanjës, posaçërisht në Këshillin e Evropës.

“Sa i përket Spanjës, diplomatët kosovarë do të kishin mundësinë të adresojnë dhe të negociojnë drejtpërdrejt me zyrtarët spanjollë, duke shënuar fillimin e negociatave ndërmjet Spanjës dhe Kosovës. Kosova, ndonëse njohja është një opsion i vështirë, mund të synojë bashkëpunim dhe angazhim ndërmjet të dyja vendeve”.

Raporti i QKSS-së bën thirrje edhe për shfrytëzimin e momentumit të vitit 2024 pas liberalizimit të vizave për Kosovën. Kjo përfshin rritjen e mobilitetit njerëzor, promovimin e programeve dhe shkëmbimeve akademike, si dhe përdorimin e mekanizmave neutralë për të thelluar bashkëpunimin pa e imponuar çështjen e njohjes./Albanianpost.com

Read Previous

Banka e Shqipërisë ul komisionet për pagesat elektronike

Read Next

FIFA: Tregu global i transferimeve arriti nivele të reja rekord këtë vit