Pyper: Vetëm 5.6% e qytetarëve mendojnë se nuk ka nepotizëm në Kosovë

Nepotizmi është një dukuri e cila po i shqetëson shumë qytetarët e Kosovës. Këtë e ka dëshmuar edhe hulumtimi i fundit i realizuar nga Pyper ku 94.4% e qytetarëve të anketuar mendojnë se nepotizmi është i pranishëm në Kosovë, kurse vetëm 5.6% mendojnë se nuk ka nepotizëm në Kosovë.

Po ashtu, më shumë se gjysma e të anketuarve (86.2%) besojnë se dukuria e nepotizmit dëmton zhvillimin e Kosovës.

Krahasuar me vitet e kaluara, rreth gjysma e të anketuarve nuk shohin një ndryshim pozitiv sa i përket luftimit të nepotizmit. Më saktësisht 51.5% mendojnë se dukuria e nepotizmit ka mbetur e njëjtë, për dallim prej këtyre, një pjesë më e vogël e të anketuarve mendojnë se është zvogëluar (17.4%) apo edhe se është rritur (31.2%).

Të pyetur se si e shohin dukurinë e nepotizmit pas 5 viteve, pjesa më e madhe e të anketuarve kanë një mendim pesimist rreth nepotizmit. Më saktësisht, 42.8% mendojnë se niveli i nepotizmit do të mbetet i njëjtë, ndërsa 17.9% mendojnë se kjo dukuri do të jetë edhe më e lartë viteve të ardhshme.

Një shumicë dërrmuese e qytetarëve të anketuar (88.3%) pohojnë se dukuria e nepotizmit po ndikon edhe në migrimin e të rinjve në vende të huaja për punësim jashtë vendit kurse të pyetur se si e konsiderojnë punën e institucioneve në luftimin e nepotizmit, vetëm 25.7% e shohin si efektive.

Sondazhi në fjalë është realizuar përmes një mostre jo të rastësishme në të cilin kanë marrë pjesë rreth 1200 persona anembanë Kosovës.

/Telegrafi/

Read Previous

Kurti takohet me homologun e tij norvegjez: Është koha për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik

Read Next

Presidentja Osmani takon komunitetin e biznesit në Katar, kërkon që të investojnë në Kosovë