Kjo grua iu drejtua spitalit, për të marrë shërbimet që ofrohen këtu, por një gjë e tillë ishte e pamundur. Sot në këtë institucion shëndetsor për të dhe pacientë të tjerë dera është e mbyllur, përveç rasteve emergjente. Kjo vjen si pasojë e grevës së paralajmëruar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës. Sipas Edmond Arapit, përfaqësues i Sindikatës rajonale, punëtorët shëndetësorë janë lodhur duke pritur për ligjin e pagave.
Gjendje e njëjtë ishte edhe në QKMF në Gjakovë, ku pacientët po njoftohen që në hyrje se nuk mund të marrin shërbime deri pas orës 15:00.
Artan Hoxha në emër të sindikalistëve të QKMF-së në Gjakovë, mbështet vendimin e federatës, teksa kërkon mirëkuptim nga qytetarët.
Grevës i është bashkuar edhe Qendra Kombëtare e Mjeksisë së Punës në Gjakovë. Stafi i këtushëm shprehin keqardhje që nuk mund tu shërbejnë pacientëve ditën e sotme. Mirlinda Rudi thotë se janë të detyruar të luftojnë për atë që u takon ligjërisht.
Edhe nga Qendra e Vaksinimit në komunën e Gjakovës, na njoftuan se sot janë solidarizuar me institucionet e tjera shëndetsore. Sindikalistët kërkojnë që qeveria të miratojë sa më shpejt ligjin e pagave, ndryshe situata mund të jetë kaotike nëse nuk përmbushet kjo kërkese e vazhdueshme e këtij sektori.