Hoti për dialogun Kosovë-Serbi: Ishim afër fundit të procesit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në kohën kur ai ishte në krye të ekzekutivit dhe udhëhiqte dialogun Kosovë-Serbi, ishte afër përfundimit të dialogut.

“Nuk e di a kemi qenë afër arritjes së një marrëveshje përfundimtare, por unë jam i sigurt që kemi qenë afër fundit të procesit, me fund të procesit po nënkuptoj që ne në korrik të vitit 2020-të në Samitin e Parisit jemi dakorduar për qëllimin e procesit të dialogut që ishte njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve”, tha Hoti në ATV.

Sipas tij, “në marrëveshjen finale për njohje reciproke ne kemi insistuar që të jenë disa prej pikave kryesore përfshirë çështjen e të pagjeturve, pikë e parë ishte njohja reciproke, pikë e dytë ishte të pagjeturit”.

Ai shtoi se me konsumimin e temave, do vinte përfundimi i procesit.

“Deri në muajt e parë  të këtij viti ne e konsumonim procesin, me këtë nënkuptoj që ne e trajtojmë me delegacionin serb në prani të Brukselit dhe me mbështetje të Shtëpisë së Bardhë ne i konsumonim të gjitha temat edhe vinim në fund të procesit”.

Por, ai thotë se “nuk e di a do të mbyllej procesi, por unë jam i sigurt që do të vinim në fund të procesit ku do i thuhej Serbisë mjaftë është mjaftë”, shtoi Hoti.

Ndryshe të mërkurën e 17 nëntorit në Bruksel kanë përfunduar bisedimet midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit evropian, por pa takim trepalësh mes tyre.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit të fundit me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për bisedime, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se janë zhvilluar disa takime dypalëshe me zyrtarët evropianë dhe se temat e diskutimit kanë qenë energjia, të zhdukurit e luftës dhe përfaqësimi në nismat rajonale.

Bislimi ka hedhur poshtë akuzat e Serbisë se pala kosovare është fajtore për mungesën e takimit trepalësh, dhe sipas tij pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë sepse ato, sipas tij, “duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”. 

/Albanianpost.com

Read Previous

Publikohet lista zyrtare me vendet që janë ftuar në Samitin për Demokraci

Read Next

Mbi 14 mijë euro të falsifikuara iu gjetën një personi në Vërmicë