Raportohet për refuzimin e shërbimeve të gastronomisë për komunitetet joshumicë në Gjakovë

Një postim në faqen “Gjakova Sot” në rrjetin social Facebook ka nxitur reagime nga shoqëria civile e poashtu edhe nga përfaqësues shtetëror. Arsyeja është se në një mesazh të dërguar nga një person anonim thuhet mes tjerash që pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë u është refuzuar shërbimi në njërën prej kafiterive në qytetin e Gjakovës.

Në mesin e reagimeve ka qenë edhe deklarata e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i cili në statusin e tij ka shkruar se :

“Është turp që edhe në lokalet e gastronomisë në qytete të ndryshme të Kosovës, në forma të ndryshme refuzojnë t’i shërbejnë pjestarët e komuniteteve dhe bëjnë diferencime. Për një rast të tillë edhe dje më informuan aktivistë nga Gjakova. Gjakova është ndër qytetet shembull për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të lejohen të ndodhin. Lokalet të cilat bëjnë diferencime të tilla duhet t’i bojkotojmë të gjithë. Personat me ngarkesa raciste nuk duhet ti mbështesim në zhvillimin e tyre!”, ka shkruar mes tjerash ministri Krasniqi në postimin e tij.

Pas deklarimit të ministrit Krasniqi, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në postimin e saj, Haxhiu ka thënë se refuzimi për t’i shërbyer komuniteteve jo shumicë është i papranueshëm. Ajo ka theksuar gjithashtu se kjo nuk duhet të ndodhë askund dhe asnjëherë.”

Pas këtyre postimeve të përfaqësuesve shtetëror ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i cili ka kërkuar nga policia që të fillojë hetimet dhe nëse sigurohen prova të merren masa ligjore ndaj të dyshuarve.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një komunikate ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me raportimet e djeshme për trajtim diskriminues të pjesëtarëve të një komuniteti të caktuar nga ana e punonjësve të një operatori ekonomik. “Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bënë thirrje të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë që të shmangin veprimet që mund të sugjerojnë diskriminim apo përjashtim nga e drejta e shërbimit në çfarëdo baze”.

Ne kemi tentuar të marrim prononcime nga gastronomët të cilët janë etiketuar në rrjetet sociale por të njëjtit përmes telefonit na kanë thënë se nuk duan të prononcohen dhe se një gjë tillë sipas tyre nuk qëndron. Asnjëherë nuk është paraqitur ndonjë problem sa I përket ofrimit të shërbimeve sepse të gjithë klientët për ne janë të njëjtë janë shprehur ata.

Padyshim që pas të gjitha këtyre deklaratave opinioni në Kosovë është i shqetësuar për këtë dukuri, dhe duhet të informohet drejt. Një gjë e tillë mund të vërtetohet vetëm pas hetimeve që mund të bëhen nga Policia e Kosovës të cilat poashtu mund të faktojnë ose jo dyshimet publike të ngritura nga ministri Krasniqi për refuzim të shërbimit në disa lokale gastronomike për pjesëtarët e komuniteteve. Përndryshe nëse nuk dëshmohet vërtetësia e deklaratave publike, zyrtarët shtetëror kanë përgjegjësi për atë që e kanë deklaruar pavarësisht pozitës që e mbajnë. Për këtë KMDLNj –ë këmbëngul që Policia e Kosovës të hetojë rastin sepse të drejtat e njeriut nuk mbrohen me deklarime publike por mbrohen me ligj.

Read Previous

Vendi ku vaksinimi është kryer 100%, prej 3 muajsh asnjë rast me Covid

Read Next

Berisha: Kosova po e ul përfaqësimin diplomatik në Vatikan