Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, para komisionit ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2022, që parashihet të jetë mbi 2. 7 miliardë euro.
Sipas ministrit, përveç rritjes së buxhetit për disa dikastere, është paraparë vazhdimi i programit të Ringjalljes Ekonomike përkundër faktit që deri diku ekonomia është rikoperuar.
Ndërkaq këtë projektbuxhet e kritikoi opozita, e cila e sheh si jo zhvillimor. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti,e pyeti ministrin se a është buxhetuar ligji i pagave dhe për këtë ministri Murati, tha se nëse miratohet ky ligj do të mbulojnë me anë të mjeteve me 55 milionë euro.
Ish-ministri i Financave, Hoti ka kërkuar përgjegjësi edhe për projektet kapitale rrugore, atë për Podujevë, Gjilan dhe për Tetovë.
Ndërkaq për kritikat që mori nga deputetët opozitarë, nga Hoti e Pal Lekaj, për shkurtim të buxhetit të RTK-së për 2 milionë euro, Murati tha se rreth 100 punonjës në këtë medium publik e kanë pagën më të lartë se të një ministri. Duke shtuar se një buxhet i tillë për RTK-në, është më se i mjaftueshëm.
Ndërkaq nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku, këtë projektbuxhet e vlerësoi si jo zhvillimor dhe pa vizion.
Lushtaku po ashtu kritikoi Ministrinë e Financave për rritje të borxhit publik dhe manipulimi me shifra për rritje ekonomike.
Derisa për këtë ministri Murati tha se me anë të këtij projektbuxheti ka një rënie të borxhit publik nga 32 për qind në 27 për qind.
Sa i përket rritjes ekonomike, Murati tha se rritja reale do të jetë 9.9 për qind derisa ajo nominale 12 për qind.