Shfaqja +18 që është prodhim i teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu”, pas triumfit në festivalin ndërkombëtarë “Skupi Fest” do të garojë edhe në edicionin e katërt të Festivalit të teatrit Showcase.
Drejtori i teatrit Edi Kastrati e cilësoi pjesmarrjen në këtë festival si të veçantë, për vet faktin se shumë kritikë të teatrit do të jenë të pranishëm në këtë festival që mbahet nga data 2-7 nëntor.
Festivali i Teatrit Showcase është ngjarje vjetore e teatrit të Kosovës e cila këtë vit mbledh në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, 50 drejtues festivalesh, kritikë e profesionistë të tjerë të teatrit nga rajoni e bota të cilët do të kenë mundësinë të shohin prodhimtarinë më të fundit teatrore në Kosovë.
Këtë vit në Showcase do të prezentohen 10 performanca teatrore nga Kosova dhe rreth 4 të tjera nga rajoni dhe Evropa.