Bislimi: Provokimet e Serbisë janë të papranueshme

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian Besnik Bislimi pritën në takim sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Helga Maria Schmid.

“Kurti e njoftoi sekretaren Schmid me punët dhe progresin e Qeverisë në këta 7 muaj qeverisje, për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi dhe në veçanti theksoi përkushtimin për zhvillimin e arsimit dual si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Aty u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim dhe integrim, porse ritheksoi se nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezent e pjesëmarrëse BE-ja, transmeton Klankosova.tv.

Sekretarja Schmid e përgëzoi kryeministrin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha.

Ajo e vlerësoi veçanërisht angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.

Për procesin e bisedimeve më Serbinë, kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke, dhe se të pagjeturit do të mbeten prioriteti i parë.

Zëvendëskryeministri Bislimi, duke folur për dialogun dhe rezultatet që priten nga ai, theksoi përkushtimin e Kosovës në arritjen e njohjes reciproke dhe i cilësoi të papranueshme provokimet që i bën Serbia.

Sekretarja Schmid shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe ekspertizës për qeverinë, në përputhje me nevojat e institucioneve dhe fushëveprimin e OSBE-së.

Kryeministri Kurti falënderoi sekretaren Schmid për vizitën dhe kërkoi që të ngritet përfaqësimi dhe pjesëmarrja e Kosovës në OSBE.

/KlanKosova/

Read Previous

Këto janë të gjitha vendimet që i mori sot Qeveria e Kosovës

Read Next

KMDLNJ kërkon që kategoritë e rrezikuara të mbështeten financiarisht për gjashtë muaj