Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka mbështetur vendimin e presidentes Vjosa Osmani dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për shpalljen nongrata të dy zyrtarëve rusë.
Ai më anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se ndikimi rus në destabilizimin e Kosovës duhet të luftohet.
“Askush që ushtron aktivitete që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk është i dëshiruar në vendin tonë. Në këtë frymë, mbështes kërkesën e Presidentes Osmani dhe vendimin e MPJD për shpalljen persona të padëshiruar dhe dëbimin e dy zyrtarëve rus nga Kosova”.
“Secili që tejkalon rregullat e qëndrimit në vendin tonë, duhet të trajtohet sipas ligjit. Ndikimi rus në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duhet të luftohet me vendosmërinë më të madhe nga institucionet tona”, ka shkruar Haradinaj.