Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka raportuar sot në Komisionin për Integrim Evropian lidhur me angazhimet e këtij dikasteri për përmbushjen e marrëveshjes së MSA-së, dhe adresimin e çështjeve nga fusha e arsimit që kanë të bëjnë me Raportin e Progresit.
Ajo tha se MASHTI në planin e zbatimit të MSA-së për 2021, ka planifikuar katër masa legjislative, duke filluar nga udhëzimi administrativ për organizimin dhe funksionimin e organit profesional, ai për transferin e teknologjisë dhe dijes, dhe format e transferit të teknologjisë, Projektligji për arsimin e lartë dhe Projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.
Nagavci para deputetëve të këtij komisioni tha se në kuadër të shtyllës së tretë në planin e ERA 2, si ministri kanë prioritet përmirësimin e sistemit arsimor.
Nagavci: Në planin e zbatimit të MSA-së për 2021 kemi planifikuar katër masa legjislative
“Në kuadër të shtyllës së tretë në planin e ERA 2, MASHTI ka prioritet përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës. Disa nga prioritetet e veçanta në këtë plan janë përmirësimi i cilësisë së përgjithshme në sektorin e arsimit, sigurimi i qeverisjes transparente të institucioneve arsimore dhe rritjen e qasjes në arsim. Ndërsa në planin e zbatimit të MSA-së për 2021, kemi planifikuar katër masa legjislative, duke filluar prej udhëzimit administrativ për organizimin dhe funksionimin e organit profesional, udhëzimit administrativ për transferin e teknologjisë dhe dijes dhe format e transferit të teknologjisë, Projektligjin për Arsimin e Lartë, të cilin e kemi në proces të plotësim ndryshimit dhe Projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim të cilin shumë shpejtë do ta sjellim në Kuvend”, tha Nagavci.
/KP/