Ligji për zyrtarët publik në Kosovë mundëson hapjen e konkurseve në grupe të ekspertëve për pozitat e lira dhe jo individualisht siç kërkohej deri më tani. Dispozitat ligjore të këtij ligji mundësojnë ndryshime në procesin e rekrutimit të kandidatëve dhe në listën e përzgjedhur nuk nënkuptohet se do të jenë të gjithë fitues në të njejtën kohë. Kështu ka bërë të ditur Kushtrim Brahimaj nga zyra e Burimeve Njerëzore në Gjakovë.
Për 12 muaj, sipas nevojave dhe kërkesave të vendeve të lira, komuna do të sistemoj kandidatët në listën e pritjes.
Krahasuar me vitet e kaluara kur kandidati do të duhej të plotësonte 50 pikë në tri fazat e testimit me ndryshimet e reja në ligj kandidati fitues duhet të plotësojë 70 pikë gjatë rekrutimit.
Edhe në rastet kur kandidojnë dy kandidatë dhe njëri prej tyre nuk i plotëson të gjitha kriteret e konkursit, procedurat janë të rregullta dhe vazhdohet me procedim të kandidatit që është konform kritereve të paraqitura.