Ura e Rogovës së Hasit po vazhdon të mbetet në gjendjen e njëjtë. Sanimi i saj nuk po gjen mbështetje as nga komuna dhe as nga Ministria e Infrastrukturës, përgjegjësia po kalon nga dora në dorë, kështu thonë banorët e kësaj ane. Kryetari i fshatit, Isalm Gashi na tha se kërkesat e tyre drejtuar institucioneve kanë qenë të njëpasnjëshme që nga koha kur është dëmtuar. Por ende asgjë nuk ka ndryshuar dhe për këtë banorët janë shprehur se rreziku po rritet çdo ditë e më shumë sidomos në këtë kohë kur kushtet atmosferike kanë ndryshuar.
Edhe gjatë ditës së sotme u pa që mbi urë vazhdojnë të kalojnë automjetet nga më të lehtat deri tek ato me pesha më të rënda. Shoferët thanë se janë të vetëdijshëm për rrezikun që kanë teksa qarkullojnë mbi urën e dëmtuar por një gjë të tillë ata po e bëjnë për shkak se në këtë anë i kanë tokat bujqësore.
Për shkak të urës së dëmtuar banorët po detyrohen të bëjnë shumë më tepër kilometra për të mos kaluar mbi të, sepse siç thonë ata rrezikojnë të përfundojnë me fatalitet.
Televizioni Syri ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Ministrisë së Infrasstrukturës të cilët përmes telefonit kanë thënë se sanimi dhe rrregullimi i urës në fshatin Rogovë është në kompetencën e komunës së Gjakovës.
Banorët e rajonit të Hasit mbesin me shpresën që kërkesa e tyre të merret parasysh nga organet kompetente dhe të intervenohet sa më parë në rregullimin e urës që lidh Rogovën me mbi 14 fshatëra të kësaj ane.