MPB hesht rreth pritjes së qytetarëve për letërnjoftim

Mungesa e materialit për prodhimin e letërnjoftimeve po u krijon qytetarëve pritje me muaj për t’u pajisur me mjetet identifikuese.

Si shkak i mungesës së materialit, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të gjithë shtetasve të Kosovës, pavarësisht afatit të skadimit të letërnjoftimit, dokumenti identifikues t’iu konsiderohet i vlefshëm edhe për gjashtë muaj.

Pavarësisht kësaj, qytetarët kanë ankesa të shumta për kohën e gjatë që duhet të presin për t’u pajisur me letërnjoftim.

Ka nga ata që dokumenti identifikues u nevojitet për udhëtim, e që kjo po pamundëson një gjë të tillë.

Qytetari Rafet Makolli, i cili ka aplikuar për letërnjoftim, thotë se përkundër mungesës së materialit, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me këtë dokument është i madh, pasi i është dashur të pres në radhë të gjatë.

Makollit me rastin e aplikimit për letërnjoftim në Qendrën e Regjistrit Civil, i është thënë se duhet të presë minimum 3 muaj për të marrë dokumentin.

Makolli: Na u dashtë me prit në radhë për të aplikuar për letërnjoftim

“Sot na u dashtë me prit në radhë për aplikim për letërnjoftim diku 40 minuta përafërsisht, mirëpo na duhet me prit 3 muaj sepse material nuk ka. Nuk është e sigurt 3 muaj, mundet të vazhdojë edhe më shumë”, thotë ai.

Ndërsa qytetari Xhevdet Abazi thotë se probleme ka hasur edhe për marrjen e pasaportës.

Abazi: Nuk më kanë njoftuar asgjë për pasaportë

“Unë kam aplikuar për pasaportë prej datës 7 korrik, por deri më tash asnjë mesazh as kurrgjë nuk më ka ardhur. Erdha me pyet se çka u bë me dokumentin. Personeli që jep informacione nuk është në vendin e punës, pastaj kërkova informacione në vende të tjera dhe mezi e mora informatën për çka erdha”, thotë ai.

Read Previous

Mbi 750 euro të falsifikuara janë konfiskuar nga Policia e Kosovës

Read Next

Rreth 9 mijë aplikime nga diaspora për zgjedhjet e 17 tetorit