Sabrije dhe Musa Goranci tashmë 7 vjet frekuentojnë këtë hapësirë të Shkugëzës. Çdo ditë ata ecin shtigjeve të Shkugëzës, ndonjëherë vetëm e shpesh me shumë miq. Musaja ka gjetur qetësinë e shërimin në këto pyje. Kur dukej që për të nuk kishte shpresë, dedikimi i jashtëzakonshëm i bashkëshortes dhe ndihma e mjekëve bën që ai sot të zhvillojë mjaftueshëm aftësitë e tij motorike, dëmtimi i të cilave erdhi si rezultat i hemiparezës që është paralizë e pjesshme në gjysmën e trupit.
Fillimet kanë qenë të vështira, por mbështetja e madhe e familjarëve dhe ambienti i këtushëm kanë qenë kyç në përmirësimin e jetës së Musait.
Sabrija i është falenderuse mjekëve për angazhimin dhe gadishmërinë. Ajo apelon që të gjithë që janë në situatë të njëjtë, të mos dorëzohen.
Vjollca Kuqi si promotore e lëvizjes dhe ecjes, në lidhje me këtë situatë shprehet se baca Musa siç e quan ajo, është motivacion për të gjithë të tjerët, pasi që ai është edhe shumë garues në aktivitetet që bëjnë çdo mëngjes.
Shkugëza mbetet destinacion i shumë qytetarëve, të cilët zgjedhin që mëngjeset e tyre t’i kalojnë në këto ambiente që ofrojnë kushtet adekuate për një jetë sa më të shëndetshme.