Në rrugën “Fatime Hetemi” në Vushtrri, dje rreth orës 14:00, janë arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sulm”.
Sinjali merr vesh se në Qendrën për Punë Sociale kishte ndodhur një problem ndërmjet një çifti të shkurorëzuar dhe familjarëve të tyre.
Persona të afërt me ankuesen bëjnë të ditur se ajo dje kishte pasur takim me ish-bashkëshortin dhe me fëmijën e tyre, djalin 9-vjeç dhe pas këtij takimi, derisa kishin dalë nga QPS, në oborrin e kësaj ndërtese kishte filluar konflikti në mes tyre.
Këto burime kanë thënë për sinjalin se ish-bashkëshorti e sulmoi djalin e tyre 9-vjeçar, të cilit i shkaktoi edhe gërvishtje.
Pasi që ka parë këtë situatë të ndodhte, për t’i dalë në ndihmë vajzës dhe nipit, në këtë konflikt u përfshi edhe babai i ankueses.
Burime e Sinjalit brenda policisë njoftojnë se nga njëri prej të dyshuarve është konfiskuar një thikë dhe që të dy të arrestuarit janë intervistuar nga prokurori. /Sinjali/