​Fejzi: Të konsumojmë produktet me prejardhje shqiptare

Mungesa e bashkëpunimit rajonal po paraqet barrierë të madhe për bizneset e Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë. Për këtë kryetari i Forumit Ekonomik Mbarë Shqiptar, Nagip Fejzi kërkon që të rritet bashkëpunimi politik mes tri vendeve në mënyrë që të krijohet klimë më e përshtatshme për të bërit biznes.

Fejzi, paralajmëron se kriza e vërtetë ekonomike fillon pas pandemisë dhe për këtë ai apelon konsumatorët shqiptarë që pavarësisht vendndodhjes të konsumojnë produktet me prejardhje shqiptare.

Ai thekson se organizimi i qeverisë është jetik për organizimin e bizneseve, teksa shton se si forum ekonomik janë angazhuar për rritjen e bashkëpunimit mes kompanive të rajonit.

Sa i përket pakove fiskale që qeveritë e të tri vendeve kanë dhënë për qytetarët dhe bizneset, Fejzi vlerëson se këto të fundit kanë pasur impakt pozitiv, teksa shton se ka pasur mundësi që të ndihmohen edhe më shumë nga shteti.

Duke thënë se kriza e vërtetë fillon pas pandemisë, ai rekomandon konsumimin e produkteve me prejardhje shqiptare në mënyrë që të ndihmohen vendet në tejkalimin e krizës post-COVID.

Kryetari i Forumit Mbarë Shqiptar, Nagip Fejzi është optimist se me vaksinimin e qytetarëve në të gjithë botën, po shmanget mundësia për një mbyllje të radhës, duke ndikuar kështu edhe në rimëkëmbjen ekonomike./KosovaPress

Read Previous

Aksidenti në Gadime, dy të lënduarit janë në gjendje të rëndë

Read Next

Sekuestrohen 57 bimë kanabisi në Podujevë