Oficeri shqiptaro-amerikan diplomon në akademinë federale të zbatimit të ligjit në SHBA

Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) ka përgëzuar oficerin shqiptar Selmani, pas diplomimit me sukses nga Qendrat Federale të Trajnimit për Zbatimin e Ligjit (FLETC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një njoftimi, shoqata ka vlerësuar përkushtimin, disiplinën dhe sakrificat e tij gjatë rrugëtimit profesional, duke theksuar se kjo arritje përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së SHBA-së.

Oficeri Selmani shërben në radhët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të Shteteve të Bashkuara (CBP), institucion përgjegjës për sigurinë kufitare dhe zbatimin e ligjit.

AALEA ka theksuar se diplomimi i tij është një arsye krenarie për familjen, kolegët dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi ai vazhdon të përfaqësojë trashëgiminë shqiptare gjatë shërbimit ndaj shtetit amerikan.

“Ti mban më shumë sesa një medalje dalluese, ti mban krenarinë e trashëgimisë sate shqiptare dhe nderin e shërbimit ndaj këtij kombi të madh”, thuhet në mesazhin e urimit të shoqatës.

Në fund, AALEA i ka uruar oficerit Selmani suksese të mëtejshme në karrierë, duke shprehur besimin se kjo arritje do të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të suksesshëm profesional dhe mundësive të reja për avancim e lidership në shërbimin publik amerikan.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Mourinho shpërthen ndaj gjyqtarit: Pas Mbappesë dhe Viniciusit, këtë herë e pësoi Bellingham

Read Next

Ish-ambasadori britanik vlerëson FSK-në: Riafirmon përkushtimin për paqen dhe sigurinë në Kosovë