​114 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

Sot, 114 vjet më parë në Vlorë, përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit. Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshoj vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.

Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 u pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.

Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dal nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte “Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.

Qeveria e Vlorës:

  • Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.
  • Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër
  • Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
  • Abdi bej Toptani, Ministër për Financat
  • Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)
  • Petro Poga, Ministër për Drejtësinë
  • Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin
  • Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore
  • Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
  • Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.

/KosovaPress/

Read Previous

Parashikimi i motit për të shtunën

Read Next

29 vjet nga dalja e parë publike e UÇK-së