Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë është hapur ekspozita “Rikthim në traditë – Veshjet popullore të shqiptarëve”.
Ekspozita është organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Kosovë–Shqipëri, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
Në hapjen e ekspozitës, zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, ka thënë se veshjet popullore shqiptare janë ndër shprehjet më të pasura të trashëgimisë kulturore, të cilat pasqyrojnë mënyrën e jetesës, zakonet, besimet dhe krijimtarinë e brezave të kaluar.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, ka thënë se veshjet popullore shqiptare janë një ndër shprehjet më të pasura të trashëgimisë kulturore, të cilat pasqyrojnë mënyrën e jetesës, zakonet, besimet dhe krijimtarinë e brezave të kaluar.
Këto deklarata Xhemajli i bëri në hapjen e ekspozitës “Rikthim në traditë – Veshjet Popullore të Shqiptarëve”, të organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, në kuadër të aktiviteteve të Javës Kulturore Kombëtare Kosovë–Shqipëri, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
Ai tha se në veshjet tradicionale ndërthuren mjeshtëria e punimit, simbolika e motiveve, pasuria e ngjyrave dhe veçoritë që kanë karakterizuar trevat e ndryshme shqiptare.
Xhemajli: Veshjet popullore pasqyrojnë mënyrën e jetesës dhe krijimtarinë e brezave të kaluar
“Veshjet popullore janë ndër shprehjet më të bukura, më të pasura dhe më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore. Ato nuk janë thjesht pjesë e traditës së veshjes, por dëshmi të mënyrës së jetesës, zakoneve, besimeve, shijes estetike dhe krijimtarisë së brezave të kaluar. Në to ndërthuren mjeshtëria e punimit, simbolika e motiveve, pasuria e ngjyrave dhe veçoritë që kanë karakterizuar trevat e ndryshme shqiptare”, tha Xhemajli.
Ai përmendi larminë e veshjeve tradicionale shqiptare, duke veçuar fustanellën, tirqit, poturet dhe brekushet te burrat, ndërsa te gratë xhubletën, veshjet me këmishë të gjatë, xhokën, përparëset dhe mbështjellëset.
Sipas tij, materialet e përdorura, mënyra e prerjes dhe qepjes, ornamentet dhe kombinimi i ngjyrave dëshmojnë për një traditë të pasur artizanale, të përcjellë ndër breza, ku rol të veçantë kanë pasur gratë shqiptare.
Xhemajli ka veçuar edhe xhubletën, për të cilën tha se përfaqëson një dëshmi të rrallë të mjeshtërisë tradicionale shqiptare, ndërsa rikujtoi se në vitin 2022 UNESCO e përfshiu atë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që ka nevojë për mbrojtje urgjente.
Xhemajli: Xhubleta, dëshmi e rrallë e mjeshtërisë tradicionale shqiptare
“Një vend të veçantë në këtë trashëgimi zë xhubleta, një nga veshjet më karakteristike të grave të zonave malore të Shqipërisë së Veriut. Me formën e saj të veçantë në trajtë kambane, me materialin e punuar prej leshi dhe me motivet e qëndisura, ajo përfaqëson një dëshmi të rrallë të mjeshtërisë tradicionale shqiptare. Rëndësia e saj kulturore është njohur edhe në nivel ndërkombëtar, pasi në vitin 2022 UNESCO e përfshiu xhubletën në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që ka nevojë për mbrojtje urgjente. Ky është një shembull domethënës se si një veshje tradicionale mund të përfaqësojë jo vetëm një krahinë, por edhe një pasuri me rëndësi më të gjerë kulturore”, tha Xhemajli. /KosovaPress/

