Protestë para Kuvendit gjatë intervistimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt

Një grup aktivistesh ka zhvilluar një aksion protestues para objektit të Kuvendit të Kosovës, në kohën kur Komisioni Hetimor Parlamentar po interviston zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Gjatë protestës, aktivistet kanë lëshuar alarmin e policisë, në shenjë reagimi ndaj rastit dhe mënyrës se si institucionet përgjegjëse e kanë trajtuar atë.

Aksioni protestues po zhvillohet në kohën kur para Komisionit Hetimor janë ftuar të dëshmojnë disa zyrtarë dhe përfaqësues institucionalë, në mesin e tyre edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Përveç Muhaxherit, për intervistim janë ftuar edhe Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS, Shpat Morina, zyrtar i kësaj qendre, si dhe Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë.

Intervistimi i tyre vjen pas publikimit të gjetjeve të një inspektimi të jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, gjatë të cilit janë konstatuar shkelje të shumta në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Komisioni Hetimor Parlamentar është themeluar për të hetuar përgjegjësinë e mundshme institucionale në rastin e vrasjes së saj, si dhe mënyrën se si institucionet përgjegjëse i kanë trajtuar rastet e dhunës në familje.

/GazetaSinjali/

Read Previous

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Aksion në 29 auto-parkingje, një i arrestuar për kokainë dhe një person në arrati

Read Next

Debat në Komisionin për rastin Zekaj