Thaçi pas dënimit në Hagë: “Kjo është politikë, nuk është drejtësi”
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka cilësuar të turpshëm dhe të papranueshëm vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në procesin për pengim të drejtësisë.
Çitaku ka shprehur zhgënjim dhe shqetësim të thellë, duke vlerësuar se proceset e njëpasnjëshme, kontestimet procedurale dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë ngritur pikëpyetje serioze për administrimin e drejtësisë nga kjo gjykatë.
“E turpshme! E papranueshme! Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, drejtësia nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta, ndërsa ka paralajmëruar mobilizim dhe veprime konkrete në rrafshin politik, juridik dhe diplomatik.
“Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë. Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund!”, ka deklaruar ajo.
Çitaku ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe se sakrifica për liri nuk mund të njolloset nga asnjë proces gjyqësor.
“Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset – asnjëherë. Me çlirimtarët, deri në liri!”, ka përfunduar Çitaku.
Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 1 vjet e pesë muaj burgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në disa pika në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Aktgjykimi është shpallur sot, nga gjykatësi Christopher Gosnell, në seancën e mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në këtë proces gjyqësor, krahas Thaçit, janë akuzuar edhe ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. /KosovaPress/