​Dhunë në familje në disa qytete të Kosovës, arrestime, kërcënime dhe sekuestrim armësh

Policia e Kosovës ka raportuar 10 raste të dhunës në familje, përfshirë sulme fizike, kërcënime dhe dhunë psikologjike në disa qytete të vendit.

Sipas raportit 24-orësh, në disa prej rasteve të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerë vazhdojnë të kërkohen nga policia.

Në Vushtrri, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj më 9 nëntor. Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe ka sekuestruar 2 pistoleta, 1 pushkë ajrore dhe 7 fishekë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Zubin Potok, një grua ka raportuar se është fyer dhe kërcënuar përmes rrjeteve sociale nga ish-bashkëshorti. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë janë raportuar 3 raste të dhunës në familje. Në rastin e parë, një grua ka pranuar mesazhe kërcënuese nga djali i saj që ndodhet jashtë vendit. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim.

Në rastin e dytë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, një grua tjetër ka raportuar se i dashuri i saj i ka shkaktuar vazhdimisht dhunë psikologjike për shkak të xhelozisë. Ajo është kthyer te familja e saj, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati.

Në Rahovec, policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht babanë e tij. Të 2 kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është raportuar në Ferizaj, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga partneri me të cilin bashkëjeton. I dyshuari është larguar dhe po kërkohet nga policia.

Në Prishtinë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Po në kryeqytet, një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti, i cili jeton jashtë Kosovës, e ka kërcënuar përmes rrjeteve sociale atë dhe familjarët e saj. Viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim.

Në Fushë Kosovë, një burrë ka raportuar se ka përjetuar dhunë psikologjike nga djali i tij. Me vendim të prokurorit, rasti po hetohet në procedurë të rregullt.

Për të gjitha rastet janë njoftuar prokurorët kompetentë, ndërsa hetimet po vazhdojnë. /KosovaPress/

Read Previous

Shefi i Pentagonit përballet me përpjekjen për shkarkim

Read Next

​Gallapeni: Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën që më jep fanella e Kosovës