Kanadaja dhe BE-ja thellojnë aleancën mes tensioneve me SHBA-në

Udhëheqësit kanadezë dhe ata të Bashkimit Evropian  takohen këtë javë në Montreal në një samit që synon thellimin e aleancës mes tyre, ndërsa të dyja palët përballen me marrëdhënie të trazuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, deklaroi muajin e kaluar në një fjalim në Parlamentin Evropian se “Evropa dhe Kanadaja janë më të forta së bashku”. Deklarata e tij erdhi pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sugjeroi se Kanadaja mund të bëhej anëtarja e parë e asociuar e bllokut prej 27 shtetesh.

Gjatë takimit dyditor në Montreal, udhëheqësit do të përpiqen të përcaktojnë hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit në fusha si mbrojtja, inteligjenca artificiale dhe mineralet kritike.

Përtej marrëveshjeve konkrete, përpjekjet për afrimin e mëtejshëm të Kanadasë me BE-në pasqyrojnë ndryshimet në realitetin gjeopolitik, të nxitura nga politikat e presidentit amerikan, Donald Trump.

E goditur nga tarifat doganore amerikane, Kanadaja po kërkon mundësi të reja ekonomike në tregjet e huaja, me synimin për të zvogëluar varësinë nga Shtetet e Bashkuara.

Carney e konsideron BE-në një partnere të natyrshme, duke e cilësuar vendin e tij si “më evropianin ndër vendet joevropiane”.

Timothy Snyder, profesor i historisë moderne evropiane në Shkollën Munk të Çështjeve Globale në Universitetin e Torontos, vlerëson se afrimi i Carney-t me Evropën, si përgjigje ndaj qëndrimit armiqësor të SHBA-së, është një lëvizje taktike e arsyeshme.

“Nëse mund të shkëputesh arbitrarisht, në çdo moment, nga tregu amerikan, atëherë ka kuptim të kesh sa më shumë alternativa të mundshme”, tha Snyder për AFP-në.

“Ti kërkon diçka tjetër dhe kjo diçka tjetër është Evropa”, shtoi ai, duke argumentuar se edhe nëse lufta tregtare me SHBA-në përfundon, Kanadaja do të jetë në një pozicion më të fortë, falë diversifikimit të partnerëve ekonomikë.

Edhe Bashkimi Evropian, i cili është përballur vazhdimisht me talljet dhe kritikat e Trumpit dhe aleatëve të tij politikë në SHBA, po kërkon partneritete të besueshme në një botë ku ndikimi ekonomik dhe politik dominohet nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. /ATSH-AFP/

Read Previous

IKD kërkon hetim të plotë për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt

Read Next

Çmimet e gazit në BE arrijnë nivelin më të lartë që nga viti 2022