Londra u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për sulme kibernetike dhe ndërprerje të furnizimeve

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, paralajmëroi se familjet dhe bizneset duhet të përgatiten për sulme kibernetike gjithnjë e më të sofistikuara, të cilat mund të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit me mallra dhe shërbime të domosdoshme.

Qeveria britanike ka nisur një fushatë të re, të quajtur “Bëhuni gati”, për t’i ndihmuar qytetarët të përgatiten për situata emergjente.

Ajo këshillon familjet të sigurojnë paraprakisht ushqime dhe ujë, si dhe të informohen se si mund të ndihmojnë komunitetin në rast krize.

Duke folur dje në hapjen e një fabrike të re në Telford, Streeting paralajmëroi se sulmet kibernetike mund të godasin bizneset dhe të ndërpresin zinxhirët e furnizimit, duke penguar transportin dhe shpërndarjen e mallrave.

Ai theksoi se familjet dhe bizneset duhet të mendojnë se si do të vepronin nëse shërbimet e përditshme do të ndërpriteshin përkohësisht.

Si shembull, ai përmendi mundësinë që sistemet e pagesave në supermarketet lokale të mos funksiononin për shkak të një sulmi kibernetik.

Sipas tij, vendi duhet të përgatitet jo vetëm për probleme të zakonshme, por edhe për sulme më të ndërlikuara, që mund të kryhen nga shtete armiqësore ose organizata terroriste.

Fushata e re për përgatitjen ndaj emergjencave u njoftua dje dhe është faza e parë e një programi 3-vjeçar.

Ajo synon t’i ndihmojë familjet të përballojnë më mirë situata që mund të ndërpresin jetën e përditshme, si stuhitë e forta, moti ekstrem dhe fatkeqësi të tjera natyrore.

Britania e Madhe është përballur këtë verë me valë të të nxehtit, thatësirë dhe zjarre.

Sipas udhëzimeve të qeverisë, qytetarët këshillohen të mbajnë në shtëpi rezerva ushqimesh dhe uji për të paktën tri ditë.

Ata këshillohen gjithashtu të kontrollojnë nëse përfitojnë nga regjistri i shërbimeve me përparësi, i cili u mundëson personave që kanë nevojë për mbështetje të veçantë të marrin ndihmë gjatë ndërprerjeve të shërbimeve. /ATSH-DPA/

Read Previous

Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 25 nëntor në Bruksel, në fokus integrimi dhe reformat

Read Next

Çfarë ndodh tani me Ligjin për Specialen pasi presidentja e riktheu në Kuvend?