Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 25 nëntor në Bruksel, në fokus integrimi dhe reformat

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen më 25 nëntor në Bruksel, në kuadër të samitit që do të vërë në fokus rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit.

Bashkimin Evropian në këtë samit do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në një deklaratë përpara takimit, Costa theksoi rëndësinë e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rolin e BE-së si partner i besueshëm i rajonit.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është përparësia jonë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim vendimtar gjeopolitik në këto kohë të trazuara. BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit”, u shpreh Costa.

Samiti do të shërbejë për të rikonfirmuar angazhimin e BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të nxitur partnerët të përshpejtojnë reformat thelbësore dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për përparimin drejt anëtarësimit.

Liderët do të vlerësojnë gjithashtu ecurinë e integrimit gradual të rajonit në Bashkimin Evropian, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe do të diskutojnë hapat e mëtejshëm për zbatimin e tij.

Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë, në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.

Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian për periudhën 2024-2029.

Takimet e nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor zhvillohen rregullisht që prej vitit 2018. Samiti i fundit u mbajt në Tivat, më 5 qershor 2026.

Në periudhën 1-4 qershor 2026, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, zhvilloi një vizitë në rajon, ku u takua me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bisedimet u përqendruan te mundësitë dhe sfidat që lidhen me zgjerimin e BE-së, integrimin gradual, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin. /ATSH/

Read Previous

Arsenali synon fitoren ndaj Evertonit

Read Next

Londra u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për sulme kibernetike dhe ndërprerje të furnizimeve