Restaurohet rezidenca madhështore e Pompeit

Një nga rezidencat më madhështore të qytetit antik të Pompeit në Itali do t’i nënshtrohet restaurimit, me të gjithë koston prej 1.4 milionë eurosh të mbuluar nga një sponsor privat, njoftuan të martën zyrtarët e Parkut Arkeologjik të Pompeit.

Shtëpia e Marcus Fabius Rufus, e ndërtuar sipas modelit të pallateve perandorake të Romës, u varros nga shpërthimi i malit Vezuv në vitin 79 të erës sonë, që shkatërroi qytetin antik. Rezidenca ka qenë e mbyllur për publikun që nga viti 1980. E ndërtuar fillimisht mbi muret e qytetit, ajo përbëhet nga katër kate të lidhura përmes një rrjeti të ndërlikuar korridorësh dhe shkallësh.

Sipas zyrtarëve të parkut arkeologjik, një pjesë e rezidencës pritet të hapet për vizita të organizuara me guida deri në Krishtlindje.

Restaurimi po financohet nga sipërmarrësi gjerman Frank Hoefer, i cili kontaktoi drejtuesit e parkut pasi lexoi librin e vitit 2023 të drejtorit Gabriel Zuchtriegel, me titull “Pompei: Qyteti i magjepsur”.

Hoefer e cilësoi restaurimin e rezidencës si një projekt që e entuziazmon, duke vlerësuar gjithashtu gatishmërinë e Pompeit për të zbatuar qasje të reja në ruajtjen e trashëgimisë dhe përmirësimin e qasjes së publikut në monumente.

Drejtori Zuchtriegel tha se synimi është zgjerimi i bashkëpunimit me sponsorë privatë, në mënyrë që të mbështetet zhvillimi dhe ruajtja e kompleksit arkeologjik. Ai theksoi se kjo nuk do të thotë se financimi privat mund ta zëvendësojë menjëherë sistemin e biletave të hyrjes, por përfaqëson një drejtim në të cilin duhet të punohet.

Punimet strukturore në rezidencë u kryen gjatë viteve 2021–2023, ndërsa faza aktuale e restaurimit përqendrohet te afresket, përfshirë figurën e famshme të Venusit të Pompeit, e vendosur në një faltore brenda shtëpisë.

Sipas vlerësimeve historike, pronari i rezidencës mund të ketë qenë një magjistrat ose një ish-skllav i liruar që i shërbente familjes perandorake.

Përveç restaurimit të elementeve artistike, po punohet edhe për ta bërë kompleksin më të qasshëm për vizitorët. Në këtë drejtim, po zhvillohen zgjidhje digjitale që do t’i ndihmojnë ata të kuptojnë më mirë strukturën e ndërlikuar të ndërtesës.

Zuchtriegel e përshkroi rezidencën si një hapësirë që, në disa pjesë, të krijon përshtypjen e një pallati të shekullit XIX në Napoli, ndonëse bëhet fjalë për një banesë romake rreth 2.000-vjeçare./KultPlus.com

Read Previous

Barça ankim zyrtar në UEFA për shkak të banderolit të ultrasve të PSG-së

Read Next

MASh ndan 370 mijë euro për 54 qendra mësimore që mbështesin mbi 2,600 fëmijë