Hapet sezoni i gjuetisë, masa për mbrojtjen e faunës së egër dhe sigurinë publike
Një mesazh i vitit 2025, që pretendohet se është dërguar nga Richard Grenell te një biznesmen turk, është në qendër të një hetimi për një donacion prej miliona dollarësh që nuk arriti te Qendra Kennedy. Grenell i ka mohuar akuzat.
Një mesazh tekstual që dyshohet se tregon një ofertë për qasje te presidenti amerikan Donald Trump, në këmbim të një pagese shumë milionëshe, është bërë pjesë kyçe e një hetimi të Shtëpisë së Bardhë ndaj Richard Grenellit, një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Trumpit.
Sipas një raportimi ekskluziv të mediumit amerikan Axios, mesazhi i datës 3 maj 2025 i ishte dërguar biznesmenit turk Turhan Mildon. Në të, dërguesi pretendohet se i premtonte atij pjesëmarrje në aktivitete ekskluzive, si dhe mundësi për t’u afruar me administratën amerikane dhe vetë presidentin Trump.
“Do të organizoj donacionin për Qendrën Kennedy dhe ti do të marrësh pjesë në aktivitetet VIP dhe do të afrohesh me administratën, madje edhe me POTUS-in”, thuhet në mesazhin e cituar nga Axios. POTUS është shkurtesa në anglisht për presidentin e Shteteve të Bashkuara.
Sipas mediumit amerikan, Mildon pretendon se mesazhi ishte dërguar nga Grenelli. Ky i fundit i ka mohuar akuzat për keqpërdorim të parave.
Miliona dollarë që nuk arritën te Qendra Kennedy
Çështja lidhet me një transfertë prej 17.6 milionë dollarësh, të cilën Mildon pretendon se e kishte bërë në maj të vitit 2025, sipas udhëzimeve të Grenellit, për një marrëveshje biznesi që përfshinte kompaninë amerikane të mbrojtjes TXAT, me seli në Hjuston.
Një pjesë e shumës, rreth 5.6 milionë dollarë sipas pretendimeve të raportuara më herët nga Axios, ishte menduar si donacion për Qendrën Kennedy, institucionin e njohur të arteve në Uashington, të cilin Grenelli e drejtoi për një periudhë gjatë administratës Trump.
Megjithatë, sipas raportimit të fundit, paratë nuk u regjistruan si donacion në këtë institucion. Sipas një zyrtari të administratës amerikane, 17.6 milionë dollarët ishin transferuar nga Ministria e Financave e Republikës Demokratike të Kongos në llogarinë e kompanisë TXAT.
Mbetet e paqartë se për çfarë shërbente kontrata me Kongon dhe si lidhej ajo me donacionin e pretenduar për Qendrën Kennedy.
Dokumentet financiare dhe komunikimet e dorëzuara nga avokatët e Mildonit dhe bashkëshortes së tij, Alina Habba, janë pjesë e materialeve që po shqyrton zyra e këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë.
Trump urdhëroi hetimin, Grenell mohon akuzat
Sipas Axios, presidenti Trump urdhëroi shqyrtimin e çështjes pasi Habba, ish-avokate e tij dhe ish-prokurore federale, e informoi për dyshimet se paratë e destinuara për Qendrën Kennedy nuk kishin arritur kurrë në institucion.
Në një raportim të mëparshëm, Axios kishte bërë të ditur se pretendimet fillestare për shumën e donacionit kishin ndryshuar gjatë komunikimeve me administratën. Ndërkohë, të dhënat e institucionit nuk tregonin një donacion prej miliona dollarësh nga Mildon. Një ish-punonjëse përgjegjëse për financat kishte deklaruar se në regjistrat e saj figuronin vetëm 270 mijë dollarë që biznesmeni kishte premtuar t’i paguante.
Grenell i ka quajtur akuzat “absurde” dhe ka mohuar se ka kërkuar që paratë të dërgoheshin diku tjetër duke u paraqitur si donacion për Qendrën Kennedy. Ai gjithashtu ka mohuar se ka marrë ndonjë pagesë nga Mildoni.
Hetimi është në zhvillim dhe pretendimet ndaj Grenellit nuk janë vërtetuar përfundimisht.
Pse ka rëndësi kjo çështje për Ballkanin?
Richard Grenell nuk është një emër i panjohur për Kosovën. Gjatë administratës së parë të Donald Trumpit, ai shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani dhe më pas si i dërguar i posaçëm presidencial për dialogun Kosovë–Serbi.
Në vitin 2020, Grenelli ishte një nga figurat kryesore të angazhimit diplomatik amerikan në procesin që çoi në marrëveshjet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator të atij viti.
Ai ka vazhduar të jetë i përfshirë në zhvillimet politike të rajonit dhe të mbajë lidhje me rrethin e ngushtë të Trumpit.
Megjithatë, raportimi i fundit i Axios ka të bëjë me pretendime për një transfertë financiare dhe një donacion në Shtetet e Bashkuara. Deri më tani, nuk është paraqitur ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë mes këtyre pretendimeve dhe veprimtarisë së Grenellit në Kosovë. /RTKlive