Antonio Conte e ka lënë Interin me marrëveshje të dyanshme. Simone Inzaghi pritet që ta zëvendësojë atë si trajner i ri i kampionit të ri në Serie A.
Conte është pajtuar me pronarët e klubit që do t’i paguajnë atij 7 milionë euro për vitin e fundit të kontratës.
Ish-trajneri i Chelseat e drejtoi Interin drejt titullit të parë në Serie A në 11-të vjet.
Kryetari i Interit, Steven Zhang, ka kërkuar nga Conte që ta ulë pagën prej 15 deri në 20% dhe të shesë lojtarë deri në 70 milionë funte këtë verë.
“Interi njofton se ka arritur marrëveshje për shkëputje të kontratës me trajnerin Antonio Conte. I gjithë klubi dëshiron që ta falënderojë Antonion për punën e jashtëzakonshme që ka bërë këtu, e që arriti kulmin me triumfin në titullin e 19-të. Antonio Conte do të mbetet përgjithmonë në historinë e klubit tonë”, thuhet në njoftimin e Interit.
Conte i shihte si të “paprekshëm’ tetë lojtarë, përfshirë Milan Skriniarin, Romelu Lukakun dhe Lautaro Martinezin.
Ndërkohë, “SkySport” raporton se trajneri i Lazios, Inzaghi, pritet ta zëvendësojë atë në “San Siro”.
Ish-sulmuesi i Italisë është në krye të klubit nga Roma që prej vitit 2016-të. E përfundoi edicionin në vendin e gjashtë, me gjashtë pikë më shumë se rivali i qytetit, Roma./Koha.net/