Profesori amerikan: Gjykata Speciale s’është institucion i popullit të Kosovës

Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nuk e ka mbyllur debatin për drejtësinë e luftës së Kosovës. Përkundrazi, ai e ka hapur edhe më shumë hendekun mes asaj që është vendosur në Hagë dhe mënyrës se si ky vendim po përjetohet në Kosovë.

Për një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare, dënimi i ish-krerëve të UÇK-së është parë si goditje ndaj figurave që lidhen drejtpërdrejt me luftën çlirimtare. Në anën tjetër, Gjykata Speciale e paraqet procesin si një përpjekje për të vendosur përgjegjësi penale individuale për krime të kryera gjatë dhe pas luftës.

Profesori i së Drejtës në Universitetin Indiana në Shtetet e Bashkuara dhe ekspert i së drejtës penale ndërkombëtare, Timothy Waters, i cili ka punuar edhe në rastin e Sllobodan Millosheviçit në Tribunalin për ish-Jugosllavinë, në një intervistë për Albanian Post thotë se edhe ata që e përkrahin këtë gjykatë, në momente sinqeriteti, e pranojnë se ky nuk është institucion i popullit.

“Mendoj se edhe mbështetësit më të vendosur të gjykatës, në momente sinqeriteti, do ta pranonin se ky nuk është në të vërtetë një institucion i popullit, madje as i shtetit. Është një imponim ndërkombëtar mbi Kosovën dhe nuk e them këtë si kritikë, por si përshkrim”, deklaroi Waters.

Ai e sqaron se Gjykata Speciale u shërben vetëm interesave të një bashkësie ndërkombëtare dhe jo Kosovës dhe popullsisë së saj.

“Ajo po u shërben qëllimeve, perspektivave dhe interesave të një ‘bashkësie ndërkombëtare’ hipotetike të cilën mund ta specifikojmë kryesisht si BE-në dhe SHBA-në dhe jo Kosovës dhe popullsisë së saj si të tillë”.

Teksa potencoi se, nëse institucionet e Kosovës nuk kanë kapacitetin ose vullnetin për t’i trajtuar këto krime, kjo nuk garanton që një institucion ndërkombëtar do të mund ta zgjidhë problemin në vend të tyre.

“Fakti që Kosova nuk është gati ose nuk është në gjendje ta bëjë vetë këtë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se një gjykatë ndërkombëtare do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”.

Nismën e Partisë Demokratike për ndryshimin e kornizës ligjore të Gjykatës Speciale, përfshirë përcaktimin më të qartë të mandatit dhe kompetencave të saj, ai e sheh si të vështirë për t’u realizuar, pasi Kosova nuk mund të bëjë ndryshime e vetme, pa mbështetjen e palëve që kanë qenë pjesë e krijimit të kësaj gjykate.

Waters flet edhe për dallimin mes krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, kufijtë e kompetencave të Prokurorisë së Specializuar, si dhe për çështjen nëse DHSK-ja ka arritur të krijojë një drejtësi që pranohet nga shoqëria kosovare.

Intervista e plotë me Timothy Waters:

Albanian Post: Pas gjashtë vitesh paraburgim dhe një procesi që zgjati disa vite, katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Çfarë mesazhi politik dhe juridik mendoni se dërgon ky verdikt, jo vetëm për të akuzuarit, por për Kosovën dhe rajonin duke pasur parasysh që një vendim prej 25 vjetësh u vendos edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe personit që shpalli pavarësinë?

Timothy Waters: Ka dy mënyra për ta parë këtë çështje: çfarë mesazhi përcillet dhe çfarë mesazhi pranohet. Për gjykatën, mesazhi është se askush nuk është mbi ligjin ndërkombëtar, madje as figurat e rëndësishme politike dhe “heronjtë kombëtarë”, dhe se gjykimi ka të bëjë vetëm me këta individë dhe përgjegjësinë e tyre.

Por, a është ky mesazhi që do të pranohet? Shumë pak gjasa. Përkundrazi, mesazhi që pranohet është se aktgjykimet individuale janë në të vërtetë një sulm ndaj luftës çlirimtare dhe se kjo gjykatë është indiferente, madje armiqësore, ndaj së vërtetës dhe interesave të vërteta të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për pavarësi.

Cila ishte shprehja që u shfaq në protesta: “Liria ka një emër”, apo jo? Krahas posterëve të katër burrave që tani janë dënuar. Pra, a janë ata individë që po gjykohen, apo përfaqësues të një lëvizjeje, të një kombi?

Albanian Post: Gjyqtari Charles Smith e shpalli verdiktin “në emër të popullit”. Në Kosovë, megjithatë, një pjesë e madhe e opinionit publik e ka kundërshtuar fuqishëm këtë verdikt. Çfarë do të thotë kjo për raportin mes drejtësisë ndërkombëtare dhe shoqërisë ndaj së cilës ajo pretendohet se po jep drejtësi?

Timothy Waters: E marr me mend se edhe mbështetësit më të vendosur të gjykatës, në momente sinqeriteti, do ta pranonin se ky nuk është në të vërtetë një institucion i popullit, madje as i shtetit. Është një imponim ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe këtë nuk e them si kritikë, por thjesht si përshkrim.

Për arsyet e tyre, shtetet që e imponuan atë – shtetet e BE-së dhe SHBA-ja – vendosën ta përfshijnë brenda sistemit juridik të Kosovës, por në thelb ajo është plotësisht e ndarë dhe e kontrolluar nga aktorë të jashtëm.

Një kapitullim, në gjuhën e vjetër.

Pra, çfarë na tregon kjo për drejtësinë ndërkombëtare? Se ajo po u shërben qëllimeve, perspektivave dhe interesave të një “bashkësie ndërkombëtare” hipotetike, të cilën mund ta përcaktojmë kryesisht si BE-në dhe SHBA-në dhe jo Kosovës dhe popullsisë së saj si të tillë.

Mund të jetë në të mirë të tyre, por vendimi se çfarë është në të mirën e Kosovës po merret nga të tjerët.

Albanian Post: A mund të funksionojë një gjykatë ndërkombëtare si instrument drejtësie nëse një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë të prekur nga procesi nuk e njeh legjitimitetin e saj? Apo legjitimiteti i një gjykate duhet të ndahet nga perceptimi publik për të?

Timothy Waters: Po, mundet, por në mënyra specifike dhe të kufizuara dhe kjo varet shumë nga mënyra se si e përkufizojmë “drejtësinë”.

Nëse me drejtësi nënkuptojmë një pretendim abstrakt për drejtësi, si shprehje e disa vlerave universale, atëherë po, një gjykatë ndërkombëtare mund ta bëjë këtë: të zhvillojë një proces rigoroz nga pikëpamja procedurale dhe të arrijë një aktgjykim të pavarur. Dhe, në mënyrë të arsyeshme, kjo gjykatë mund ta ketë bërë pikërisht këtë.

Por nëse drejtësinë e imagjinojmë si diçka më të gjerë, të lidhur me vlerat e një komuniteti të caktuar, atëherë karakteri ndërkombëtar i gjykatës bëhet pengesë, veçanërisht nëse, siç e parashtroni ju, ekziston rezistencë brenda atij komuniteti siç ndodh në këtë rast.

Kështu, edhe legjitimiteti i gjykatës do të varet nga kjo: si një mekanizëm abstrakt, ajo mund të ketë legjitimitet nëse është e kujdesshme, neutrale e kështu me radhë por pikërisht ky neutralitet mund ta bëjë atë më pak relevante ose më pak të aftë për të ndikuar mbi një komunitet të caktuar.

Gjykatat ndërkombëtare e bazojnë pjesërisht pretendimin e tyre për legjitimitet në faktin se nuk janë pjesë e komunitetit të prekur ato nuk janë të njëanshme apo të komprometuara – por, në të njëjtën kohë, kjo do të thotë se nuk e kanë legjitimitetin që vjen nga përkatësia.

Unë jam amerikan dhe instinktivisht do t’i rezistoja idesë që veprimet e bashkëkombësve të mi të gjykoheshin nga një trup gjykues me gjyqtarë mongolë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin tim dhe asnjë perspektivë mbi të.

Mendoj se ky është një qëndrim i përgjithshëm njerëzor, megjithatë, në njëfarë mënyre supozojmë se gjykatat ndërkombëtare mund të funksionojnë në këtë mënyrë dhe të gëzojnë respekt. Por dëshmitë tregojnë më tepër se komunitetet reagojnë shumë ndryshe nga kjo supozim.

Albanian Post: Paneli i shpalli të pandehurit fajtorë për disa krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Çfarë rëndësie ka kjo ndarje juridike për mënyrën se si duhet lexuar verdikti në tërësi?

Timothy Waters: Dallimi kryesor ka të bëjë me kontekstet për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Krimet e luftës kërkojnë ekzistencën e një lufte, pra të një konflikti të armatosur, si një lloj kushti të domosdoshëm. Në këtë rast, kjo ishte relativisht e thjeshtë për t’u dëshmuar, kështu që pyetja ishte marrëdhënia e të akuzuarve me veprat konkrete të cilat, në vetvete, nuk dukeshin të ishin shumë në dyshim.

Për krimet kundër njerëzimit, kërkohej një kontekst tjetër: që veprat të cilat, përsëri, në vetvete nuk dukeshin të ishin shumë në dyshim të kishin ndodhur në kuadër të një “sulmi” ndaj një popullate civile. Ky “sulm” është diçka e ndryshme nga vetë veprat konkrete dhe, me sa duket, gjykata nuk ishte e bindur se prokuroria e kishte provuar këtë element. Pa këtë, nuk ka mënyrë për të kaluar te veprat konkrete, të paktën jo në kuadër të akuzave për krime kundër njerëzimit.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Prandaj, për mua, kjo ka të bëjë kryesisht me dallime doktrinare, pra me mënyra të ndryshme të karakterizimit juridik të të njëjtave veprime. Kjo është mjaft tipike për këto gjykata dhe është pjesë e asaj që i bën këto raste kaq të shtresëzuara dhe komplekse.

Rezultati i ndryshëm mund të lexohet si shembull i seriozitetit dhe madje i paanshmërisë së gjykatës, pasi ajo ishte e gatshme të bënte dallime të tilla. Por mund të lexohet edhe si një lloj dallimi të mbyllur, thjesht juridik, pa ndonjë kuptim të madh shoqëror apo të jashtëm.

Shumica e njerëzve, në mënyrë të natyrshme, duan të dinë nëse dikush e ka bërë diçka apo nëse ka qenë drejtpërdrejt përgjegjës që ajo të ndodhte; por në këndvështrimin e gjykatës, pyetja ka të bëjë me kontekstin në të cilin kanë ndodhur ato veprime.

Meqë ra fjala, kjo lidhet edhe me pjesën tjetër të këtij rasti: natyrën e marrëdhënies së të akuzuarve me krimet konkrete. Ata nuk akuzoheshin se i kishin kryer vetë vrasjet, por se kishin pasur një marrëdhënie me to përmes një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Kjo është një teori mjaft gjithëpërfshirëse, e cila i lejon prokurorisë të argumentojë se edhe persona që kanë një lidhje shumë më të tërthortë me veprat konkrete mund të mbajnë përgjegjësi për to.

Kjo nuk është domosdoshmërisht një kritikë, kjo teori mund të shihet si një përgjigje pragmatike ndaj kompleksitetit të dhunës masive të kryer nga grupe të mëdha dhe të organizuara në mënyrë hierarkike por është një tjetër shembull se si proceset e këtyre gjykatave i largojnë ato nga kuptimi i zakonshëm i gjërave.

Albanian Post: Në retrospektivë, a mendoni se krijimi i Dhomave të Specializuara ishte zgjidhja më e përshtatshme për adresimin e këtyre krimeve, apo vetë mënyra se si u krijua dhe funksionoi kjo gjykatë ka prodhuar një hendek mes drejtësisë juridike dhe drejtësisë së perceptuar nga shoqëria e Kosovës?

Timothy Waters: Mendoj se DHSK-ja është diku mes të parëndësishmes dhe një pengese aktive për krijimin e një drejtësie kuptimplotë dhe funksionale, e cila pranohet nga shoqëria kosovare. Ndoshta kjo shoqëri nuk është “gati” për të vendosur drejtësi për këto çështje, dua të them për veprimet dhe krimet që, në mënyrë mjaft të qartë, kanë ndodhur.

Në rregull, kjo është për të ardhur keq, por fakti që Kosova nuk është e gatshme ose nuk është në gjendje ta bëjë këtë vetë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se një gjykatë ndërkombëtare do të jetë në gjendje ta bëjë.

Për arsyet që kam shpjeguar, kjo rrallë do të jetë kështu. Disa boshllëqe nuk mund të mbushen, edhe nëse ne dëshirojmë që të mbushen.

Albanian Post: Pas verdiktit, Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar një projektligj që synon ndryshimin e kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara, duke kërkuar ndër të tjera përcaktim më të qartë të mandatit dhe kompetencave të tyre. A mund të ndryshohet realisht kjo kornizë ligjore nga Kuvendi i Kosovës pa prekur obligimet kushtetuese dhe ndërkombëtare mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale, dhe çfarë pasojash politike e juridike do të kishte një përpjekje e tillë?

Nuk jam ekspert në strukturën kushtetuese dhe juridike, por mendoj se është e vështirë, si nga pikëpamja ligjore, ashtu edhe sidomos nga ajo politike, të shihet se si kjo mund të ndryshohet nga institucionet e Kosovës duke vepruar vetëm.

Siç thoni ju, ekzistojnë detyrime ndërkombëtare, në përputhje me të cilat Kosova ndërmori të gjitha veprimet e nevojshme për ta krijuar këtë gjykatë të huaj brenda rendit të saj juridik. Nga kjo, siç e kuptoj unë, pasojat do të ishin një reagim i fortë nga shtetet evropiane, duke supozuar se ato vazhdojnë të kenë interes për këtë gjykatë.

Kam dëgjuar disa njerëz të sugjerojnë se interesi për gjykatën është në fakt mjaft i ulët; pasi u krijua ajo, qëllimi kryesor tashmë ishte përmbushur.

Albanian Post: Nëse një gjykatë dënon individët, por shoqëria ku ata vijnë e percepton aktgjykimin si sulm ndaj narrativës së saj kolektive, a mund të quhet kjo drejtësi e suksesshme?

Timothy Waters: Është e vështirë të injorohen reagimet pasqyrë në Prishtinë dhe Beograd ndaj aktgjykimit në gjyqin e Thaçit dhe funeralit të Mlladiçit. Shumë të ndryshme në mënyrën e tyre, por secila përbën një përgënjeshtrim të plotë të shpresave dhe pritshmërive që i janë bashkëngjitur projektit të drejtësisë penale ndërkombëtare për Ballkanin.

Ndoshta secili prej këtyre proceseve gjyqësore përfaqëson një formë të drejtësisë formale, juridike – njerëz që kanë kryer veprime që, në mënyrë të besueshme, përbëjnë krime dhe që paguajnë një çmim të drejtë për to – por në asnjërin rast nuk ka dëshmi se ky këndvështrim pranohet nga popullsitë që janë objekt i këtyre proceseve.

Nëse dikush dëshiron t’i shohë këto gjykata si projekte abstrakte të drejtësisë, në rregull; por si instrumente të pajtimit apo të transformimit shoqëror, unë nuk shoh asnjë dëshmi se ato e përmbushin këtë rol. /Albanianpost.com

Read Previous

Shengen për vendet e Ballkanit Perëndimor – për çfarë bëhet fjalë?

Read Next

Bedri Hamza: Le të bashkohemi kundër padrejtësisë!