Deklarata kundër Speciales, Haxhiu: Do të kontribuojmë në draftimin e saj

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se është dakorduar që deputetët dhe grupet parlamentare të kontribuojnë në draftimin e deklaratës, në mënyrë që Kuvendi të ketë një qëndrim të përbashkët lidhur me Dhomat e Specializuara.

“Jemi dakorduar që paraprakisht të mos vendosen deputetët para një akti të kryer, mirëpo të kontribuojmë në draftimin e kësaj deklarate. Të jetë një qëndrim i Kuvendit”, tha Haxhiu.

Ajo sqaroi se deklarata nuk ka peshë juridike, por vlerësoi se është e rëndësishme që Kuvendi, si institucioni ligjvënës, të shprehë qëndrimin e tij për situatën aktuale.

Haxhiu foli edhe për kritikat lidhur me mosthirrjen e një seance të jashtëzakonshme pas vendimit të Hagës. Ajo tha se në Kuvend nuk është proceduar asnjë kërkesë për një seancë të tillë.

“Sipas Rregullores së Kuvendit, kryetarja e Kuvendit nuk ka të drejtë të thërrasë seancë të jashtëzakonshme. Seancat e jashtëzakonshme mund t’i thërrasin deputetët, pra 40 deputetë nënshkrues”, deklaroi ajo.

Sa i përket projektligjit të proceduar nga PDK-ja për Dhomat e Specializuara, Haxhiu tha se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën, por kërkoi që veprimet institucionale të jenë konkrete dhe të kenë peshë.

“Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim veç me u duk që po bëjmë diçka. Nuk po dua ta paragjykoj nismën e PDK-së”, theksoi ajo.

Haxhiu tha se për këtë nismë do të ishte më e përshtatshme që të konsultoheshin të gjitha grupet parlamentare, ekspertët e fushës dhe ekipet mbrojtëse.

Sipas saj, projektligji tashmë është proceduar për mendim në Qeveri, ndërsa ajo ka komunikuar me kryeministrin Albin Kurti dhe do të kërkojë që nisma të trajtohet me prioritet.

“Në këtë fazë, pas vendimit të shkallës së parë, secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm në kuptim të ndërmarrjes së veprimeve të duhura në kohë, por edhe vendimeve të drejta”, deklaroi Haxhiu.

Në seancën e së hënës pritet gjithashtu të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe të funksionalizohen komisionet parlamentare.

Pos tjerash, ajo tha se përderisa afati i fundit për zgjedhjen e 6 tetorit, sipas saj, të gjithë akterët politikë duhet të kontribuojnë që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

“Deri më 6 tetor, ne duhet ta zgjedhim presidentin, nëse nuk e zgjedhim atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Është  e rëndësishme, që secili prej nesh të japë kontribut që të mos shkojë vendi në zgjedhje, sidomos kur flasim për procesin në Hagë, nuk i ndihmojmë as Kosovës, as qytetarëve që po protestojnë në mënyrë paqësore, por as atyre që janë në Hagë, nuk iu ndihmojmë, që me vetëdije të plotë, pa kokëçarje, të çojmë vendin në zgjedhje”, tha ajo.

Po ashtu ajo ka deklaruar se familjarët e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë kanë refuzuar ftesën e saj për takim, vendim të cilin ajo ka theksuar se e respekton plotësisht.

Haxhiu theksoi se synimi i kësaj ftese ishte që nga niveli më i lartë shtetëror të shprehej mbështetja institucionale për nevojat dhe kërkesat e këtyre familjeve në këtë moment të ndjeshëm.

“Arsyeja pse kam konsideruar që është e rëndësishme të takohem me familjarët, sepse vlerësoj që në situatën në të cilën jemi, po flas për institucionin e Presidencës, të takohet me familjarët dhe të shpreh mbështetjen tonë për kërkesat dhe nevojat e tyre. Ata nuk kanë dashur, e respektoj vendimin e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka ripërsëritur gatishmërinë e saj për të qenë pranë tyre në çdo kohë dhe formë.

“ Jam e gatshme t’i pres në çdo moment që ata dëshirojnë ose të shkoj në vizita familjare. Kam zgjedhur që paraprakisht t’i pres në institucion, që të dërgojmë mesazh institucional”.

Tutje, Haxhiu ka shprehur përkrahje të qartë për reagimin qytetar dhe tubimet që po mbahen ditëve të fundit në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale.

“I mbështes protestat qytetare, do të shqetësohesha që pas vendimit në Hagë të mos kishte protesta. I përgëzoj qytetarët”, përfundoi Haxhiu. /RTKlive

Read Previous

33 gola për Kosovën, Muriqi shkruan historinë me “Dardanët”

Read Next

Besnik Tahiri: Kuvendi të miratojë deklaratë ose rezolutë për çlirimtarët në Hagë