Andin Hoti: Beteja juridike dhe diplomatike për mbrojtjen e luftës së UÇK-së vazhdon

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka deklaruar se e vërteta historike për luftën çlirimtare të Kosovës është e pamohueshme.

Duke kujtuar fjalët e heroit Fehmi Lladrovci, të thëna para mediave ndërkombëtare në vitin 1998, Hoti tha se sot rruga duhet të ndiqet “jo më me armë, por të bashkuar dhe duke përdorur çdo mundësi e mekanizëm institucional, juridik dhe diplomatik”.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që para Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithë botës dhe, para së gjithash, para Gjykatës së Apelit, të mbrojmë dhe rikonfirmojmë të vërtetën dhe pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së, si dhe pafajësinë e ish-drejtuesve të saj: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

E vërteta historike për luftën çlirimtare është e pamohueshme. Por beteja juridike, politike dhe diplomatike për mbrojtjen e saj vazhdon dhe ne, si komb dhe si shtet, nuk guxojmë t’i ndahemi’, ka shkruar ai në Facebook.

Në 28-vjetorin e rënies, ai njëherësh ka kujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin.

“Më 22 shtator 1998, pas depërtimit të forcave serbe në drejtim të Çikatovës dhe Gllanasellës, katër dëshmorët e paharruar të UÇK-së ranë në përballje me forcat pushtuese serbe, në fshatin Gradinë, për të mos vdekur kurrë.

Lavdi e përjetshme Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit dhe Shefqet Zekës!

Lavdi të gjithë dëshmorëve”, theksoi Hoti. /Klankosova.tv/

Read Previous

Guterres në fjalimin e fundit si udhëheqës i OKB-së: Vijat e çarjes në botën tonë po zgjerohen

Read Next

Profesori spanjoll kritikon Hagën: Ndërkombëtarët e ndëshkuan Thaçin më ashpër se secilin serb që synoi gjenocid