Kusari-Lila: Hapat e radhës për ish-krerët e UÇK-së, të mendohen mirë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që veprimet e institucioneve pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë të jenë të koordinuara dhe të mbështeten në një konsensus të gjerë.

Kusari-Lila ka thënë se, përveç aspektit ligjor, duhet të synohet rritja e mundësive për lirimin e plotë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Duhet të ketë një konsensus të gjerë shoqëror mbi hapat e radhës. Duhet të jenë edhe të menduar mirë në aspektin ligjor, por gjithashtu edhe në rritjen e probabilitetit të lirimit të plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka theksuar se për këtë proces nevojitet përfshirja e të gjitha niveleve institucionale dhe politike.

“Përpjekja e përbashkët duhet të ketë angazhim të plotë të të gjitha niveleve, edhe natyrisht në aspektin politik, edhe të partive të deritanishme opozitare, e gjithashtu edhe e qeverisë e Kuvendit me shumicën, në mënyrë që gjithë mbështetja në këtë rrugëtim ligjor shumë sfidues për vendin të dalë me sukses në fund”, tha Kusari-Lila.

Deklarata e saj vjen një ditë pasi Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se iniciativa e partisë së tij nuk parasheh mbylljen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. /RTKlive

Read Previous

Policia raporton dy raste në rajonin e Gjakovës, kanosje në Junik dhe armëmbajtje pa leje

Read Next

Mërgata shqiptare në Finlandë proteston të shtunën kundër aktgjykimit të Speciales