Shqipëri | Mbi 4.5 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura deri në gusht
Partitë parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk kanë gjetur pajtueshmëri të përbashkët për t’i votuar në pako të gjithë nënkryetarët e Kuvendit.
Pas një debati në seancën konstituive, me 71 vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim u vendos që nënkryetarët të votohen veç e veç.
Këtë gjë e propozoi kryetarja e legjislativit, Albulena Haxhiu, pasi u konsultua me shefat e grupeve parlamentare, me të nisur seanca.
“Unë kisha një konsultim të shkurt me përfaqësuesit e grupeve parlamentar, subjekteve politike. Duke qenë që nuk ka një dakordim për votim në pako të nënkryetarëve të kuvendit, atëherë forma e vetme me të cilën duhet të procedojmë është votimi veç e veç. Propozimet i kemi marrë në seancë të kaluar. Për votim veç e veç ishin dakord Grupet Parlamentare”, ka thënë Haxhiu.
Votimin ndaras për nënkryetarët e Kuvendit e mbështeti shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.
“Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që të vazhdojë qoftë me votimet e secilit prej anëtarëve një nga një qoftë edhe ashtu siç e parasheh aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Nëse s’ka dakordim për anëtarët, gjegjësisht deputetët që propozohen nga partitë politike ne jemi të obliguar të vazhdojmë në pako. Meqenëse nuk kemi dakordim për deputetët të cilët në pako do të merrnin përkrahje e të gjithë deputetëve përfshirë atyre të LVV-së atëherë vazhdojmë me secilin deputet një nga një”, tha ajo.
Mirëpo ndryshimin e formës së votimit për nënkryetarët e kundërshtoi deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.
“Aktgjykimi thotë që duhet të respektohet praktika e deritanishme parlamentare. Praktika e deritanishme parlamentare ka qenë në pako. Në këtë Kuvend në legjislaturën e kaluar LVV-ja ka kërkuar që të votohet në pako e kemi kthyer nga ndarë në pako. Tash po tentoni me ndërru prapë për me u ndërru kërkohet konsensus i krejt partive jo me votë por me konsensus. Konsensus s’ka prandaj s’kemi pse i ndajmë nëse ju nuk garantoni konstituimin e Kuvendit. Nëse ju dilni në foltore dhe thoni që garantoni konstituimin e Kuvendit, PDK-ja voton në çdo formë. Nëse po dëshironi me ndryshu formën si mjet bllokadë ne nuk e pranojmë nëse po doni me konstituu Kuvendin dilni dhe thoni që votoni”, tha ai.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku tha se kjo parti nuk e ka problem cilëndo formë të votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.
“Në mbledhjen e fundit të kryesisë jemi dakorduar që në seancë të vendosim mënyrën e votimit. Meqenëse s’ka konsensus ne jemi në përkrahje edhe të votimit individual….Si përgjigje ndaj shefit të grupit të LVV-së nuk e kontestojmë vullnetin e asnjë grupi parlamentar për me përkrah ose jo njërin nënkryetar të propozuar nga partitë e opozitës por duhet të shkojnë përmes procedurës së votimit”, tha ajo.
Pas këtyre qëndrimeve foli prapë shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci e cila tha se LVV-ja, kru vjen puna te partitë tjera, voton vetëm deputetin që merr besimin e deputetëve të tyre.
“LVV do të mbështes nga një deputet nga dy grupet e tjera parlamentare. Natyrisht deputetin apo deputeten që merr besimin e shumicës së deputetëve tanë”, tha ajo. /KosovaPress/