Prodhimi i naftës saudite bie në nivelin më të ulët që nga viti 1990 për shkak të luftës SHBA-Iran
Shqipëria po zbulohet gjithnjë e më shumë përmes natyrës së saj, ndërsa zonat e mbrojtura po shndërrohen në pika të rëndësishme të itinerareve turistike.
Peizazhet e larmishme, biodiversiteti dhe mundësitë për turizëm në natyrë po tërheqin një numër në rritje vizitorësh, duke i dhënë një dimension të ri ofertës turistike shqiptare.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, bëri të ditur sot se “mbi 4.5 milionë vizitorë kanë zgjedhur të eksplorojnë zonat e mbrojtura në Shqipëri gjatë periudhës janar-gusht 2026, duke shënuar një rritje prej 11.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.
“Gjithnjë e më shumë vizitorë po zgjedhin të eksplorojnë natyrën shqiptare dhe zonat tona të mbrojtura”, u shpreh Jaupaj, duke theksuar rritjen e interesit për këto destinacione.
Sipas tij, gjatë muajve qershor-gusht, Shkodra, Vlora dhe Korça kryesuan listën e destinacioneve më të vizituara, ndërsa në total zonat e mbrojtura pritën mbi 3 milionë vizitorë.
“Numri i vizitorëve gjatë tre muajve të verës u rrit me 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke dëshmuar interesin në rritje për natyrën dhe destinacionet e turizmit të gjelbër në vend”, tha Jaupaj.
Rritja e fluksit të vizitorëve në Zonat e Mbrojtura dëshmon potencialin e pasurive natyrore shqiptare për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit, përtej destinacioneve tradicionale bregdetare.
Jaupaj theksoi se “rritja e numrit të vizitorëve sjell njëkohësisht edhe më shumë përgjegjësi për ruajtjen e këtyre hapësirave, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së natyrës”.
“Më shumë vizitorë do të thotë më shumë interes për natyrën shqiptare, por edhe më shumë përgjegjësi për ta respektuar, ruajtur dhe mbrojtur atë”, tha Jaupaj.
Zonat e Mbrojtura përbëjnë një prej pasurive më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë dhe vitet e fundit janë kthyer gjithnjë e më shumë në destinacione të kërkuara për turizmin e aventurës, ekoturizmin dhe aktivitetet në natyrë.
Zonat e mbrojtura në Shqipëri vijuan të zgjerohen gjatë vitit 2025, duke arritur në 777 zona, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 625 551 hektarësh, ose 21,7% të territorit të vendit.
Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, zonat e mbrojtura përfshijnë tashmë 36,1% të fondit pyjor dhe kullosor të Shqipërisë.
Në Shqipëri numërohen gjithashtu 724 monumente natyrore, ndërsa dy zona klasifikohen si Zona të Burimeve të Menaxhuara. /ATSH/